Hoxha: Berisha dhe të tjerët të tregojnë ku i ka eshtrat babi im

Familja e biznesmenit shqiptar Remzi Hoxha i ka bërë sërish thirrje shtetit shqiptar që të gjejë eshtrat e biznesmenit, i cili u rrëmbye dhe u vra nga SHIKU shqiptar.

Në ditën e lindjes së Remzi Hoxhës, djali i tij Ardian Hoxha ka udhëtuar drejt Tiranës, ku i ka kërkuar kryeministrit shqiptar që të bëjë çmos që të gjejë eshtrat e babait të tij, të vrarë para 18 vitesh.

Familjarët thanë se kërkojnë t’i japin fund dëshpërimit shumëvjeçar, me një kërkesë shumë të thjeshtë, eshtrat e tij për të pasur një varr ku ta qajnë. Për këtë djemtë e Hoxhës dhe vëllai i tij kanë marrë garanci nga Kryeministri Edi Rama, sikundër dhe për vënien para drejtësisë të fajtorëve që kanë gisht në rrëmbimin, torturimin dhe më pas zhdukjen e tij. Ardian Hoxha duke folur për mediat ka apeluar edhe njëherë autorët e vrasjes së babait të tij të ndihmojnë në adresimin drejt eshtrave në mënyrë direket apo dhe indirekte, për ta mbyllur njëherë e mirë këtë çështje.

“Ishte 39 vjeç kur e zhdukën. Me rastin e kësaj dite familja jonë kërkoi të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë. E kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve dhe asnjëherë nuk kemi hasur në derë të hapur. Sot për herë të parë në gjithë këtë histori tragjike të familjes sonë lind një fije shprese se do realizohet ajo që ne kërkojmë, do gjenden eshtrat e babait tim. Na jepet premtimi se do bëhet angazhimi maksimal, eshtrat e babait tim do të gjenden dhe fajtorët do dalin para drejtësisë. Unë si djalë i Remzi Hoxhës bashkë me vëllanë dhe xhaxhanë tim duam t’u kërkojmë këtyre personave që kanë kryer këtë krim dhe janë nga Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Budjon Meçe, të na ndihmojnë të gjejmë eshtrat e tij”.

Lajme të ngjashme

Back to top button