Këshilli komunal miratoi propozim vendimin e Planit Gjeneral Urbanistik të Gostivarit

Propozim vendim për miratimin e propozim ndryshimit të  Planit Gjeneral Urbanistik (PGJU), të qytetit të  Gostivarit për periudhën e planit (2011-2021), ishte pika kyçe e seancës së 30 me radhë të Këshillit të Komunës së Gostivarit. Me shumicë votash, këshilltarët komunal dhanë dritë  të gjelbër ndaj këtij vendimi me interes publik për qytetin e Gostivarit.

Në fjalimin e tij para këshilltarëve, kryetari i Komunës,  Nevzat Bejta tha se miratimi i  propozim ndryshimit të  Planit Gjeneral Urbanistik është një lajm i gëzueshëm për qytetarët e Gostivarit, sepse, mundësohet zhvillimi ekonomik i qytetit.

“Miratuam Planet Detale Urbanistike dhe qytetarët e Gostivarit filluan të investojnë dhe ndërtojnë në qytetin e tyre. Me kalimin e kohës, pas një dekade lindi dhe nevoja për plotësimin dhe ndryshimin e PGJU-së. Ne filluam me punë dhe pas një pune gatisë dy vjeçare në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, gjegjësisht Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, arritëm ta përmbyllim këtë proces. Jemi e vetmja Komunë që arritëm të marrin pëlqim nga MTL-ja për ndryshimin dhe plotësimin e PGJU-së , dhe me 6 Prill na u dha pëlqimi.”, u shpreh mes të tjerash Bejta.

Jeton Salija, udhëheqës i Sektorit për urbanizëm, komunikacion, veprimtari komunale dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, para këshilltarëve deklaroi që Plani Gjeneral Urbanistik  mbulon gjithë hapësirën e komunës dhe ofron orientimet detale për udhëzim të zhvillimit të qytetit. Ai njoftoi se sipërfaqja e përfshirjes së planit është prej 804.194 ha.

“Mbrojta e vlerave urb-arkitektonike të Gostivarit është pikësynim dhe parametër i cili qëndron në shërbim jo vetëm të ruajtjes së këtyre vlerave por edhe të profilimit të ardhshëm të qytetit të Gostivarit. Banimi i ri është i nevojshëm për shkak të rritjes së popullsisë dhe për shkak se është shtuar numri i familjeve të reja me kërkesa për banim të ri me çka në plan është planifikuar për zhvillimin në dhjetëvjeçarin e ardhshëm”, tha Salija.

Këshilltarët miratuan edhe propozim vërtetimin e vendimit nr. 08-1756/1 nga 14.07.2015  për huamarrje afatgjate të brendshme  të Komunës së Gostivarit në kuadër të  Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale (MSIP).

Elaborim para këshilltarëve bëri Fitore Aligega, zëvendësudhëheqëse e Sektorit për Çështje Financiare në Komunën e Gostivarit.

“Është projekt i fituar dhe financuar nga Banka ndërkombëtare për rindërtim dhe zhvillim, vet fjala vërtetim do të thotë që është sjell njëherë ky vendim dhe i njëjti vërtetohet për këtë vit fiskal 2016. Për ndryshe, projekti ka të bëjë me ndërtimin e gypave të ujësjellësit në fshatin Banjicë të  Poshtme dhe të Epërme .Vlera e huamarrjes është 20.528.377,00 denarë me afat kthimi 6,5 vjet (grejs periudhë 3 vjet) data e fundit e kthimit është 15 Shkurt – 2022”, tha Aligega.

Pikë tjetër që u miratua me shumicë votash ishte edhe propozim – vendimi për pranim të donacionit nga  firma zvicerane “Scafur” – Schaffhausen dedikuar njësit të zjarrfikësve dhe që përfshijnë uniforma të posaçme dhe pajisje pune për zjarrfikësit.

Këshilltarët miratuan edhe propozim vendimet për ndarje të mjeteve financiare për SHF “Përparimi” të fshatit Çegran dhe SH.F “Faik Konica”, të fshatit Debresh për vitin shkollor 2015/2016.

Edhe propozim – konkluzioni për dhënie pëlqim Programës për realizimin e ekskursionit të nxënësve të SH.F “Liria”, të fshatit Vërtok,  për vitin shkollor 2015/2016, po ashtu gjeti mbështetjen e shumicës së Këshilltarëve.

Nga sfera e arsimit po ashtu u miratuan edhe propozim – konkluzioni për dhënie pëlqim Programës për realizimin e ekskursionit të nxënësve të SH.F “Goce Dellçev” – Gostivar,  për vitin shkollor 2015/2016, si dhe propozim – vendimi  për lirim nga pagesa për  kompensim  për komunalje   për ndërtim të   sallës   së  sportit të   SH.F “Mustafa  Kemal  Ataturk”, të qytetit të  Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button