Kaka: Kam rigjetur veten, shënoj në derbi

Braziliani Kaka po kalon një moment të artë pas rikthimit te Milani, madje tashmë ai mund të shpresojë edhe për një vend në kombëtare.

Trajneri i kombëtares Felipe Scolari do të jetë i pranishëm në “San Siro” për derbin e Milanos dhe ky është rasti më i mirë që fantazisti të tregojë vlerat e tij.

“Të shënoj në derbi për të arritur edhe në kuotën e 100 golave do të ishte një gjë fantastike.  Ne nuk kemi gabuar në ndeshjet e mëdha të këtij sezoni dhe jam i sigurt se do të luajmë mirë për të treguar se jemi një skuadër me karakter”.

I transferuar në verë me parametra zero, braziliani rrëfen muajt e tij të fundit në Madrid.

“Ancelotti dëshironte që unë të qëndroja por Perez bleu shumë lojtarë të tjera dhe e kuptova se për mua do të kishte shumë pak hapësira.

Nga Reali jam larguar me mirëkuptim sepse vendimin e mora bashkë me Ancelottin”.

Por aventura me Milanin nuk nisi në mënyrën më të mirë pas atij dëmtimi në Torino.

“Ai dëmtim më shërbeu shumë sepse më dha kohë për t’u përgatitur dhe për t’u rikthyer në formën më të mirë.

Është e vërtetë që na mungon agresiviteti, ndoshta edhe pak eksperiencë por do të rritemi me kalimin e kohës”.

Kur flitet për Milanin, është e pamundur të evitosh edhe një fjali për Balotellin që duket se ka rigjetur ritmin, kjo ndoshta edhe për meritë të Kaka.

“Nuk e di nëse është merita ime por unë e shikoj ndryshe këtë çështje. Ai është një djalë i mbarë që mori përsipër shumë përgjegjësi edhe pse nuk ishte ende gati”.  

Numri 22 e mbyll intervistën me një koment rreth të ardhmes së shoqërisë.

“Galliani i di shumë mirë sekretet e punës së tij dhe do të ndihmojë Barbaran të fitojë sa më shumë eksperiencë.

Ajo është e re dhe ka shumë ide, ndërsa të dy bashkë mund të bëjnë gjëra të mëdha”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button