“Legalët” s’i duan simbolet e Kosovës

Komunat me shumicë serbe në veri të vendit nuk duan t’i përfillin simbolet dhe logon e shtetit të Kosovës as pas pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale.

Një veprim i tillë nuk paraqet ndonjë befasi, kurse në vepër refuzimi i shtetit të Kosovës është dëshmuar rishtas të premten kur pritej inaugurimi i asamblesë komunale të Leposaviqit dhe kryetarit të ri të zgjedhur, Dragan Jablanoviq.

Inaugurimi i komunës veriore është shtyrë për pak ditë me kërkesë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, për shkak të ankesave të bëra nga kryeministri Hashim Thaçi dhe kryenegociatorja Edita Tahiri në instanca të ndryshme në Bruksel.

Ankesat e krerëve të Qeverisë së Kosovës kanë të bëjnë me tendencën serbe që inaugurimet e organeve të reja komunale në veri të bëhen pa simbole e logo të Kosovës. Sipas planeve të qeverisë së Serbisë, bazuar në Marrëveshjen Thaçi-Daçiq të 19 prillit, komunat në veri inaugurohen pa simbolet dhe logon e shtetit të Kosovës, pasi që Marrëveshja e Brukselit është neutrale në raport me statusin.

Në këtë frymë, komunat veriore, përfshirë edhe atë të Leposaviqit, u kishin dërguar ftesa anëtarëve të rinj pa asnjë simbol të Kosovës. Një precedent të tillë të neutralitetit Kosova tashmë ka krijuar me zhveshjen e fletëvotimeve të 3 nëntorit nga shenjat shtetërore pikërisht për shkak të insistimeve të Beogradit. Andaj, në fund është kumtuar se Bashkimi Evropian i kishte sugjeruar Beogradit që të ndërhynte dhe të kërkonte të shtyhej inaugurimi deri në qartësimin e mëtutjeshëm./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button