“Top Channel” bën kërdinë me punonjësit, largojnë pa e njoftuar autoren e “The Voice”
“Top Channel” nuk ndalet me largimin e drejtuesve dhe autorëve të programeve. Vetë autorja e programit nuk e kishte emrin në titrat e “The Voice”.
Zefina Hasani ka thënë se edhe pse ishte kundër ftesës së Ledri Vulës në një program që promovon muzikën e vërtetë, nuk do e linte kurrë në mes punën, por të tjerë e kanë marrë atë vendim.
“Unë nuk e lashë spektaklin se profesionalizmi nuk më lejon ta lë një punë në mes. Unë shpreha mendimin tim në status për diçka që s’kam qenë e s’do mund të isha dakord për aq kohë sa “The Voice” e shoh ndryshe.
Dhe problemi s’ka qenë veç ardhja apo jo e Ledrit, por dhe mos respektimi i sistemit dhe rregullave të punës. Sot s’më lejuan të isha më në spektakel dhe pashë që kishin hequr dhe emrin nga titrat kur ndërkohë të paktën dhe kjo natë ishte edhe puna ime”, ka thënë ajo për “Class”.
Sa për Ledrin, autorja e programit thotë që nuk ka asgjë kundër tij, nëse nuk do të ishte mospërputhja e muzikës që ai bën me atë që promovohet në programin ku ajo është autore prej dy sezonesh.
“Ledri ka vendin e vet në botën muzikore dhe e respektoj për punën që bën, por skena e “The Voice” është për muzikën e vërtetë”, shprehet ajo.