ESE PËR QENIN

Të respektosh një qenie besnike si qeni është gjë e bukur. Jo rastësisht qentë, si rrallë ndonjë gjallesë tjetër, bashkëjetojnë me njerëzit që nga fillet e filleve të botës, duke flijuar për të jetën e dinjitetshme, paqen shpirtërore dhe lirinë personale. Tamam si altruistë fanatikë.

Mjerisht, këtë shkrim nuk ia dedikoj kësaj qenieje inkoshiente për shtazërinë e të tjerëve, që kurrë nuk i braktis dhe nuk ua kthen shpinën me mosmirënjohje miqve të saj prej njerëzish, sado që shpesh ndodh e kundërta.

Kolumna ime ka të bëjë me një qen bir qeni, me një qen sozi me pamje njeriu, me një qen analfabet e gjysëm të shkolluar, me një mediokër shpifarak, të lexueshëm nga stratosfera.

Gjer vonë s’e njihja mirë gjynahun, sado që vërdallisej shpesh rreth meje, madje, aty-këtu, ka gëzuar dhe ndihmën time të pakursyer, sa herë që më është dhënë rasti t’ia ofroj atë. Kështu kam vepruar një dajm, sepse ndjej keqardhje për heronjtë e eseve që trajtojnë filozofinë shatrapolle të alternativës migjeniane me kokë Sokrati dhe trup shtaze…

Ky është pra qeni të cilin po e portretoj sot me vija të trasha, si hiçin që ka për profesion patriotizmin me llafe – këtë strehimore të faqezinjëve të Semjuel Xhonsonit, ushujzën që ngjitet si … për shollet e këpucëve të atyre që e kanë profiluar me shumë mund autoritetin e tyre njerëzor e profesional, gjersa e kuptojnë kush është në të vërtetë koqja e sikletshme me qelb, për të cilën ka shkruar aq papërsëritshëm Konica.

Qeni im është specifik dhe ia del të notojë mirë me atdhetarizmin e tij të mbushur mjegulla. Sigurisht që kështu do ta mbyllë udhën e jetës së tij prej malukati mikroskopik, përgjatë së cilës ka llomotitur pareshtur për të tjerët, ka harxhuar ajër, ka ngrënë (më së shpeshti në llogarinë e të tjerëve) dhe, natyrisht: ka kakërdhisur dynjanë.

Gjynahu, nuk di gjë prej gjëje përpos lavdeve të lidhura për bëmat e mirëfillta atdhetare të të tjerëve, që nuk kapërcejnë stilin e heroit prej karikature të atrofuar të Adem Mikullovcit: I thashë Skënderbeut si ta fitojë betejën me armiqtë tanë…; bisedova me Bajram Currin…; i bëra të fala Idriz Seferit…; e udhëzova Isë Boletinin për strategjinë e  kryengritjes…; u shkrumëzova për flamur… e plot kotësi të budallafta që, për paradoks, i dëgjon akoma një kabile shqiptarësh.

E gjitha është në rregull, dreqi ta hajë! Po ç’farë ka me mua ky qen bir qeni që po ma lakon emrin ngado që vërdalliset me malukatin e të njëjtit ilet?

Të thuash se merrem me të, do të kishte njëfarë kuptimi, po unë, për mjerimin dhe fatkeqësinë e tij, i kam me bollëk hallet e mia, ndaj ku ta gjej luksin të merrem me xhingli-mingla çiliminjshë?

E kuptoj, ameba pikërisht këtë e kërkon: të më tërheqë brenda habitatit të tij prej llofke, të provokojë debat lehjesh publike, t’më bëjë shkallë për ta shkulur nga anonimiteti i thellë, ta qes në log njerëzish të fisëm për t’u dukur pa teleskop, për t’më kllumur në baltovinë derrash në të cilën e ka dënuar Hyji ta shkërmoqë jetën…

Kaq për sot. Megjithatë, rezervoj të drejtën, që në një kolumnë ta rradhës, ta portretoj qenin me tamam, sepse, e dini: sado imunë të jemi ndaj lehjeve kuturu, një ditë pëlcet mëlçia dhe themi: ÇUP!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button