Debatet për statusin, Rama: Do të bëjmë shtet

Reforma shtet-ndërtuese. Kjo është përgjigjja e kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili shtyu për në qershor dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Sipas kreut të qeverisë shqiptare ky vendim nuk ishte më i miri që familja evropiane mund të merrte për vendin tonë, as për rajonin. Por shtoi ai, vendimi vetëm rrit vendosmërinë e Qeverisë për reformat e thella shtetndërtuese dhe ndryshime rrënjësore dhe themelore në çdo fushë, që çdokush të prekë rrënjësisht rezultate të reja. 

Deklarata

 “Padyshim nuk ishte vendimi më i mirë që familja evropiane mund të merrte për vendin tonë, por më lejoni të jem shumë i qartë me ju sot: ky vendim vetëm e rrit vendosmërinë tonë për reforma të thella shtet-ndërtuese dhe ndryshime në çdo fushë. Ne e kemi thënë kaherë dhe dua ta përsëris edhe sot, për ne procesi i integrimit evropian është një rrugëtim brenda nesh, për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu, në rruga, shkolla, rend ligjor dhe sigurinë tonë”, – tha Rama. 

Ai shtoi se është gjë e mirë që puna e qeverisë sonë është vlerësuar me notat më të mira nga vendet anëtarë dhe institucionet e Bashkimit Evropian, ndërsa shprehu keqardhje për qëndrimet e opozitës. “Më vjen keq që opozita ka ndërmarrë një përpjekje qesharake për të fajësuar qeverinë e re. Ajo që ka thënë opozita, bie ndesh me atë që ka vlerësuar njëzëshëm Bashkimi Europian. 

Sidoqoftë, ne, siç e kemi bërë të ditur publikisht, por edhe siç e kemi thënë shkoqur, ne nuk do të festonim, nëse vendimi do ishte ai që prisnin qytetarët, por as nuk do hynim në lojën e baltës së fajësimit. Le të jetë e qartë për të gjithë, se, ajo që kemi ndjerë e dëgjuar këto muaj nga vendet anëtare, ata na kanë shprehur nevojën e tyre për më shumë kohë për statusin, pasi e kanë të freskët qeverinë e ligjeve të shumta dhe zbatimit të pakët”, – tha Rama. Ai shtoi se ndryshe nga kjo gjë, në kohën e paktë në dispozicion, u dhamë edhe më hezituesve, provat se Shqipëria meriton më shumë nga ajo që mori mbrëmë.

 Le   të jetë e qartë sot se përcaktimi i qershorit në një afat më të shkurtër se më parë nga dhjetori në dhjetor, erdhi si rezultat i provave që dhamë në më pak se tre muaj. Të tjera prova do të japim ditë pas dite, jo vetëm deri në qershor, por deri në fund të mandatit tonë. Asgjë nuk mund të zmbrapsë shqiptarët dhe qeverinë në këtë rrugë të fatit evropian. Integrimi evropian nuk është provim para të tjerëve, por një sprovë përpara vetes”, – tha Rama. Kryeministri e kishte një mesazh edhe për Bashkimin Evropian, që të mos ndalë zgjerimin. “Bota po ndryshon me shpejtësi dhe kaq gjë e dinë të gjithë, sikundër e dinë se mbyllja më vete e BEsë nuk e bën atë as më të fortë dhe as më të sigurt.

 Nëse ideali i BE-së ishte që në krye të herës të siguronte paqen e mirëqenien, bilanci është spektakolar, jo vetëm brenda saj, por edhe për vendet e rajonit tonë, që në emër të integrimit, kanë gjetur paqen mes vetes. Ky i BE është një ideal që ia vlen të luftohet me mish e me shpirt, dhe jo vetëm kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe kundër forcave ekstremiste.

 Prandaj nuk mund të mos shpreh keqardhjen që procesi i integrimit të ndërlikohet nga rrethana të brendshme politike”,- tha Rama. Ai garantoi se përpjekja jonë për ndërtimin e Shqipërisë evropiane vazhdon pa u ndaluar. “Do bëjmë të pamundurën që askush  të mos ketë alibi për të ndaluar kandidaturën tonë”,- deklaroi Rama. Këshilli i Bashkimit Evropian refuzoi aprovimin e propozimit të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Pas kundërshtimit të pesë vendeve, Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës dhe Britanisë së Madhe, ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord që dhënia e statusit të shtyhet për në muajin qershor të vitit të ardhshëm. Këtë e konfirmoi edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.

 “BE njeh progresin e Shqipërisë dhe përpjekjet e qeverisë së re. Perspektivë e qartë për marrjen e statusit në qershor”, shprehej ai në “Twitter”. “Ka pasur zhvillime mjaft pozitive këtë vit për Shqipërinë dhe Këshilli i BE-së i njeh këto arritje. Konsensusi mes palëve vlerësohet si pozitiv, i cili është ndjekur me implementimin e një sërë reformash në drejtësi, parlament dhe administratën publike. 

Zgjedhjet e qershorit ishin një hap mjaft i madh drejt integrimit të vendit. Gjithashtu, qeveria e re po bën përpjekjet e duhura për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Ne tashmë shkojmë drejt një mbledhjeje pozitive në muajin qershor, ku kam bindjen se statusi do t’i jepet Shqipërisë”, – deklaroi Fyle gjatë mbledhjes së Këshillit. 

 Basha: Përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike deklaron se humbja e statusit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e mazhorancës. “Mazhoranca nuk po reflekton siç duhet për humbjen e statusit të Bashkimit Evropian. Humbja e statusit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e mazhorancës. Mazhoranca me revanshin ndaj administratës dëmtoi procesin”, – deklaroi Basha. 

Sipas tij është e pafalshme që kryeministri Rama thotë se nuk ka rëndësi data kur e marrim statusin. “Data ka rëndësi, pasi humbim shumë, jo vetëm për proceset, por edhe për mbështetjen ekonomike”, – tha Basha gjatë zhvillimit të ditës së dytë të tryezës së rrumbullakët me përfaqësuesit e bizneseve të huaja në Shqipëri në lidhje me projektbuxhetin 2014.  

Sequi: Ruani këtë vrull ndaj korrupsionit 

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, jep reagimin e tij të parë pas vendimit të Këshillit për statusin. Për ambasadorin Sequi, Këshilli ka folur qartë, vlerësohet angazhimi i qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por duhet konsolidim i ecurisë pozitive. “Duhet të sqarojmë se qëndrimi ishte mjaft i qartë. Këshilli ka njohur progresin që ka bërë Shqipëria së fundmi, për të cilin të gjitha 28 vendet anëtare ranë dakord.

 Do të doja të ndaja me ju disa mesazhe: Këshilli thotë se aksionet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, së bashku me angazhimin e qeverisë së re janë mirëpritur. Por, gjithashtu ka rekomanduar për të vazhduar me luftën kundër korrupsionit dhe ka inkurajuar qeverinë që të ruajë këtë vrull. Pra, ka një vlerësim dhe njohje e progresit”, – deklaroi ai. Përveç kësaj, sqaroi Sequi, Këshilli ka vendosur t’i kërkojë Komisionit që të përgatisë një raport në qershor të 2014-s dhe në bazë të këtij raporti, duke u bazuar dhe në progresin që do jetë bërë deri në atë moment, Këshilli do të vlerësojë për t’i dhënë statusin kandidat Shqipërisë. 

Meta, Berishës: Mos u bëj më holandez se Basha 

Shqiptarët janë të integruar në Evropë dhe do të integrohen në mënyrë të pakthyeshme. Kështu iu përgjigj kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, interesimit të medias lidhur me vendimin për të shtyrë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Sipas tij, Evropa është shumë e rëndësishme për Shqipërinë por edhe Shqipëria është dhe do të jetë më e rëndësishme për Evropën. Ky është një binom i pandarë. Duke ju referuar një statusi në facebook të ish-Kryeministrit Berisha, kryetari i Kuvendit theksoi se Berisha po bëhet më holandez se Basha. 

“Lidhur me statusin më të fundit në facebook të zotit Berisha, me akuzat dhe përgjegjësitë e tij për lajmin e djeshëm, do ta ftoja, për shkak të eksperiencës së gjatë që ka dhe të përgjegjësive që ka në politikë, ta përmbajë kënaqësinë edhe pse ajo mund të jetë e vetvetishme por jo shumë e menduar dhe e arsyetuar, sepse duket sikur është gati të shpallet më holandez sesa kryetari i partisë së tij”, – tha ai. 

Kryetari i Kuvendit shtoi më tej se: “Ndërkohë që për mua, ju e dini që përkrahja për Holandën, në futboll, nuk do të mungojë ashtu si ka qenë në të kaluarën. Kam qenë një tifoz besnik i Holandës në futboll në ditët e saj më të mira. Jam edhe sot kur ajo nuk është në ditët më të mira sepse jam i bindur që edhe për Holandën, në futboll, ditë më të mira do të vijnë”. Ai pohoi më tej se Shqipëria do të vijojë në rrugën e integrimit sepse reformat në radhë të parë bëhen për qytetarët. “Edhe marrëveshja e fundit me Fondin Monetar Ndërkombëtar por edhe partnerët e tjerë për sa i takon reformave ekonomike, tregon seriozitetin dhe vullnetin për të ristrukturuar ekonominë e vendit, në mënyrë që të heqim dorë nga politikat spontane, populiste, të cilat sjellin shqetësime të mëdha për stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe që frenojnë rritjen ekonomike në të ardhmen”, – tha ai. 

Meta u bëri apel politikanëve që të gjithë duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre, sepse mesazhet kanë qenë të qarta. “Shqipëria ka bërë një progres domethënës. Kjo është shprehur në mënyrën më të qartë. Shqipëria ka marrë për herë të parë, në muajin tetor, një rekomandim mbështetës, mjaft të argumentuar mirë për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Evropian për shkak të këtij progresi. Parlamenti Evropian e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë. Por nuk është Shqipëria ajo që përcakton procedurat e marrjes së vendimeve në BE. Kjo është një çështje që besoj edhe Evropa e bashkuar do ta zgjidhë në të ardhmen”, – përfundoi ai. 

Kukan: Integrimi në BE, pas 8-10 vitesh

 Shqipëria duhet të vazhdojë me atmosferën pozitive të pas zgjedhjeve të 23 qershorit në mënyrë që të bëhet i mundur integrimi në Bashkimin Evropian. Komenti vjen nga kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan i cili ka komentuar edhe rreth hezitimit të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Holandës dhe Danimarkës sipas te cilave Shqipëria edhe këtë herë duhet të mos e marrë statusin e vendit kandidat.

 Kukan ka parashikuar se Shqipërisë i duhet një periudhë prej 8 deri në 10 vjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Pritshmëritë janë që Shqipëria gjatë këtyre gjashtë muajve duhet të provojë që kjo atmosferë e re politike, bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, është e qëndrueshme dhe do të sjellë rezultate në përparimin e axhendës   evropiane. Provat konkrete janë të nevojshme dhe duhet të ketë shumë të tilla në mënyrë që trendi, prirja të jetë qartësisht e dukshme. Besoj se është jo realiste të presësh nga Shqipëria që të arrijë gjithçka në gjashtë muaj”, – ka thënë ai në një intervistë për Deutsche Welle. 

Ai u kujtoi ndërkohë vendeve skeptike se diskutimi i momentit është për statusin kandidat dhe jo pranimin. “Dëshiroj t’ ju sjell ndërmend këtyre pesë vendeve, se po flasim për status kandidat për Shqipërinë, jo për datën e fillimit të negociatave të pranimit, jo për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian që do të kërkojë 8-10 vjet të tjera. Kjo nuk duhet harruar. Më duket se kërkesat e disa vendeve anëtare të BE-së nuk janë të qarta dhe po ngatërrojnë këto dy faza të procesit. Mendoj se ato duhet të jenë më objektivë dhe realistë”, – ka shtuar ai.  

Merkel: Bëni reformat deri në verë 

Një ditë pas vendimit të Këshillit Evropian, për të shqyrtuar në qershor statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Gjermania, shteti më me shumë peshë në union, ka thënë se Tirana zyrtare ka kohë deri në verë, që të dëshmojë progresin e arritur lidhur me reformat që ka ndërmarrë. Këto komente kancelaria gjermane i ka bërë gjatë fjalës së saj në Bundestagun gjerman.

 “Ne kemi kërkuar që brenda kësaj vere të ketë përparim të dukshëm në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit … Ne tani nuk mund të themi po”, – ka pohuar Angela Merkel, raporton agjencia euobserver.com. Merkel shtoi se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë për të marrë statusin e kandidatit zyrtar të BE-së dhe do të ndihmojë qeverinë e saj për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndryshe për Serbinë, Merkel tha se ka bërë progres të rëndësishëm në përafrimin me standardet e BE “Prandaj, është e vërtetë se një konferencë e parë e pranimit me Serbinë mund të zhvillohen në janar”, – tha Merkel./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button