Vashat e Shkupit sot përball Badelit

Klubi i Basketbollit për femra KB Shkupi ka siguruar biletën për fazën e Play Off-it ku si kundërshtar do të ketë ekipin e Badel 1862

Edhe pse me një ekip shumë të ri në moshë, vashat e KB Shkupit kanë siguruar biletën për në fazën e play off-it. Vashat nga Çairi kanë përfunduar në vendin e katërt në Ligën e Parë të basketbollit në Maqedoni. E vetmja gjë që u mungon vajzave është eksperienca, por jo edhe dëshira për të fituar. Ky është sezoni i parë që po garojnë në Ligën e Parë.

Për kundërshtar në një të katërtën e finales vashat e Shkupit e kanë ekipin e Badelit, ekip ky i cili mban pozitën e parë në tabelë. Duket se shanset për tu kualifikuar në finale janë shumë të vogla. Para ndeshjes për PORTALB ka folur trajneri i KB Shkupi Enver Miftari: “Shanset për tu kualifikuar në finale janë shumë të vogla duke e ditur fuqinë e kundërshtarit që kemi përballë. Për ne nuk ka shumë rëndësi pasi që ne vetëm se kemi hyrë më  në histori. Duhet të cekim se basketbollistja më e moshuar në ekipin tonë është vetëm 18 vjeçare ndërsa më e reja 13 vjeçare. Mendoj se ne jemi ekipi me moshën më të re jo vetëm në Maqedoni por ndoshta edhe në Evropë. Faleminderim të madh nga kryetari i Komunës së Çairit z. Izet Mexhiti i cili na ka dhënë mbështetje të madhe si dhe për të gjitha mediat që kanë qenë afër nesh”, ka përfunduar trajneri Miftari.

Ndeshja mes KB Badeli – KB Shkupit dhe do të zhvillohet sot me fillim në ora 17:00 në sallën në Aerodrom, ndërsa dyshja tjetër që do të ndeshen janë ekipi i Klubski dhe Studenti. /Portalb /

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button