BE vendos sot për Statusin e Shqipërisë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian sot do diskutojnë mbi vendimin, që do të marrë Këshilli Evropian për t’i dhënë ose jo statusin e vendit kandidat Shqipërisë. 

Ministrat e Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane mblidhen sot paradite ndërsa janë liderët e BE-së ata që do të marrin vendimin përfundimtar në samitin e 19 dhjetorit.

Në takim do të shqyrtohet propozimi pozitiv, i bërë nga Komisioni Evropian këtë tetor për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Pas dy refuzimesh në 2010 dhe 2011, KE i ofroi Shqipërisë tentativën e parë vitin e kaluar, duke i ofruar statusin kandidat me kusht, çka nuk u përmbush dot nga klasa politike shqiptare. 

Euobersver.com paralajmëroi dje se Britania e Madhe e Holanda janë dy vendet që mund të bllokojnë sot vendimin për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Por po dje agjencia italiane e lajmeve ANSA, e cila njihet për burimet e saj në Bruksel, ka paralajmëruar për rezultatin: “Shqipëria merr nesër (sot) dritën jeshile”.

Komisioni Europian do t’i japë zyrtarisht ftesën Shqipërisë për të qenë vend kandidat për në BE, por një “po” e kushtëzuar. Sipas ANSA-s, Shqipëria mund të marrë statusin, por vetëm mbi bazën e një numri kushtesh që lidhen me procesin e reformave politike, që po zhvillohen në vend. Tani për tani fillimi i negociatave për anëtarësim nuk është përfshirë në propozimin e Komisionit Evropian.

Kushtet që do të shoqërojnë Shqipërinë – e cila ka aplikuar për anëtarësim më 27 prill të vitit 2009 – për pjesën e rekomandimit për statusin duhen plotësuar para muajit dhjetor, kur vendet anëtare do të marrin në shqyrtim rekomandimin e Komisionit, për të vendosur nëse vendi e meriton apo jo statusin kandidat.

Vendimi i parlamentit e detyron kryeministrin e Holandës Mark Rutte për të refuzuar propozimin e Komisionit Evropian për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Liderët e BE-së vendosin në unanimitet sa i përket të gjitha çështjeve mbi zgjerimin e BE-së, çka do të thotë se Shqipëria mund të humbasë një tjetër shans edhe këtë vit. Nëse do të jetë kështu, vendimi kundër pritet të zemërojë edhe Parlamentin Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button