Nishani-Ader: Kriza e refugjatëve të përballohet në mënyrë të përbashkët

Presidenti i Hungarisë, János Áder (Janos Ader) dhe homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani, pas takimit kokë më kokë dhe pas bisedimeve zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dy homologët gjatë konferencës u ndalën në çështjet e diskutuara në takimet mes tyre, duke patur në fokus veçanërisht marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, krizën e refugjatëve dhe emigrantëve, dhe mbështetjen e Hungarisë ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit europian.

Nishani theksoi në fjalën e tij, se lidhjet historike mes dy vendeve janë sa të hershme, aq edhe të shumë dimensionale.

”Gjatë takimeve pata rastin të vlerësoj marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet tona diplomatike janë vendosur në vitin 1922. Pata rastin të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihëm që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë për proceset e integrimit euro-atlantik. Ka qenë një mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. E sigurova presidentin se integrimi në BE mbetet objektivi më i madh dhe alternativa për të ardhmen europiane”- u shpreh Nishani.

Ai ka pohuar se mbetet të punohet më shumë në aspektin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Gjithashtu Nishani ka theksuar se me homologun e tij hungarez kanë biseduar edhe për zhvillimet rajonale, krizën e refugjatëve dhe për kërcënimet që vijnë nga terrorizmi.

Duke folur për krizën e refugjatëve dhe emigrantëve, Nishani ka përsëritur qëndrimin e Shqipërisë, sipas tij, për të qenë pjesë e një zgjidhjeje europiane, në bazë të mundësive dhe kapaciteteve që ka vendi. “Çështja e emigrantëve përbën një sfidë shumë të madhe për Europën, që nuk ka lindur në Ballkan, ndaj kërkon të përballohet në mënyrë të përbashkët. Shqipëria nuk është përfshirë si një rrugë kalimi nga fluksi , por kjo nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen territori të jetë si mundësi për kalim. Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë marrë të gjithë masat e nevojshme për kontrollin e kufijve. Dhe mbetet e angazhuar të japë kontributet e saj, në proporcion me kapacitete infrastrukturën që vendi disponon. Marrëveshja BE-Turqi shpresojmë të funksionojë”- u shpreh Nishani.

Ndërsa Ader në fjalën e tij theksoi se Hungaria ka qenë një avokate e mirë e Shqipërisë. Sipas tij gjatë viteve të fundit Shqipëria e ka demonstruar në mënyra të mirë angazhimin e saj brenda NATO-s. Ader ka theksuar në fjaën e tij se: “Për sa i përket integrimit europain Hungaria do të vazhdojë të mbështesë këtë proces në të ardhmen. Për sa i përket bashkëpunimit dypalësh, doja të përmendja rolin që ka Shqipëria si partneri ynë për paqen në Ballkan, dhe është i njohur roli i Shqipërisë për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”.

Presidenti hungarez ka shtuar më tej se ka biseduar me homologun shqiptar edhe për çështjet që lidhen me bashkëpunim në fushën ekonomike, në fushën energjetikes, për bujqësinë, shkëmbimin e përvojës së ndërsjellë. Sipas tij, Shqipëria dhe Hungaria kanë interesa të përbashkëta për zhvillimin e marrëdhënieve.

Mes dy vendeve sot është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe kulturës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button