DUKE PRITUR GODONË

E shihni? Ashtu si afrohet dita e zgjedhjeve, që, ashiqare, nuk do të mbahen edhe për një kohë të pacaktuar, përndizen gjithnjë e më ashpërsisht antagonizmat brendashqiptare, më të pakuptimta dhe më të paskrupullta se mosdurimi ndëretnik, i cili prodhon tim-për-tim nga një Gostivar, Brodec, Sopot, Smillkovë, Kumanovë…, ku ne jemi kurbani i destinuar për t’ia shtuar lezetin tryezës së kojshisë.

E pranoj: nuk kam mendje politikani dhe, lavdi  Zotit!, nuk jam as analist, as ekspert, po as aq moron për t’ua dhënë mananë jermas dhe me ultimatume vakive unikate shqiptare, fenomeneve anakronike të cilat një poet yni i ka përjetësuar me një varg të vetëm si: përsëritje që përsëriten përsëri.

Në këtë zallamahi, nga t’ia mbajë njeriu i shkretë, kur në foltore Hyde parqesh rradhiten si kokrra tespihesh shpëtimtarë që premtojnë se do t’ia bëjnë jetën parajsë, duke mos ia thënë të vërtetën se parajsën në fjalë duhet ta ndërtojmë brenda xhehenemit të ngritur me sistem nga tjetri, krahas përballjes me kryeneçësinë, bajraktarizmin dhe përçarjet që ia shkaktojmë qenies kolektive, pa pyetur për tagret e tyre.

Këtij avazi duhet t’ia vënë pikën subjektet politike që do ta kërkojnë votën shqiptare. Ata duhet të shpalojnë para zgjedhësve programe të detajuara dhe të deklarohen qartas: a kanë programe dhe projekte të gjasshme për t’u realizuar gjatë mandatit eventual?, ku e kanë ndërmend t’na shpiejnë dhe si do ta realizojnë këtë?, si do ta ndryshojnë gjeneratorin e krizave kronike – kushtetutën e qytetarëve të pabarabartë në të gjitha linjat?, si do t’i parandalojnë ekspeditat policore që do të bëhen sërish vetëm në trojet shqiptare?, si do ta bëjnë shtetformues dhe të baranartë shqiptarin pa votat e atyre që vijnë në pushtet në sajë të albanofobisë patologjike?, si do ta orientojnë hisen shqiptare të buxhetit shtetëror në favor të kulturës dhe mirëqenies sonë?, si do t’i nxjerrin nga burgu ata që janë burgosur e do të burgosen me akuza paushalle që bëhen nga zëdhënës policie para se të administrohet faji i tyre?, si do ta ndërpresin shpërnguljen masive të të rinjëve shqiptarë?, si do ta ndalin avazin e shndërrimit të Shkupit në vendbanim qeniesh prej bronxi?, si do ta bëjnë Dizhonskën si lagja Aerodrom?, si do ta marrin të paktën një çelës hapsaneje?, si do ta kontrollojnë të paktën një kazermë, një magaze armësh si qytetarë të këtij shteti?, si do ta ndryshojnë himnin, flamurin dhe stemën e dërzhavës biblike që nuk e përfill faktin se nuk është monoetnike e monoreligjioze?, si do ta trajtojnë riinstalimin e mendësisë moniste të ndarjes së shqiptarëve në të ndershëm dhe tradhëtarë, në të moralshëm dhe amoralë, në qenie të Zotit dhe të Iblisit?, si do t’i realizojnë programet e tyre, kur dihet se zgjedhjet do t’i fitojë fillimisht një parti maqedonase dhe ata do të hynë pro-forma në qeveri?, a do të angazhohen për një frymë pajtuese brendashqiptare apo do t’i grahin filozofisë së formimit të kombeve të “bashkuara” shqiptare?, a do të ofrojnë zgjidhje nëpërmjet projekteve më të besueshme e më të hajrit se të oponentëve apo do ta kompensojnë shterpësinë me xhingli-mingla që zgjojnë interes vetëm në shoqëri primitivësh?, a do të premtojnë se mandatet e tyre do t’i përfundojnë me të njëjtat vetura, banesa, shtëpi…?, a do të ofrojnë argumente bindëse se nesër nuk do të jetë sot dhe me ç’kosto do të bëhet kjo?, a do ta thonë më në fund kur do të vijë Godoja?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button