Itali, 26-vjeçari shqiptar hyn për të vjedhur në një shtëpi, pronari e vret me pushkë

Një 26-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Serle të provincës së Brescias, në Itali. Mediat e shtetit fqinj bëjnë të ditur se 29-vjeçari Mirko Franzoni e ka qëlluar me pushkë të riun shqiptar, pasi e ka gjetur duke vjedhur në vilën e tij. 

Mësohet se Franzoni, i lajmëruar ndoshta nga fqinjët për lëvizje të dyshimta në shtëpinë e tij, është kthyer nga gjuetia dhe ka gjetur brenda vilës 26-vjeçarin shqiptar. Ky i fundit, sapo ka kuptuar që i zoti i shtëpisë ishte kthyer, është përpjekur t’ia mbathë. 

Por sipas mediave lokale, pronari i shtëpisë e ka ndjekur në rrugë për disa metra, dhe ka shtënë me një plumb në drejtim të tij, duke e plagosur rëndë. 

Në vendngjarje kanë mbërritur një ambulancë dhe karabinierët, të cilët janë përpjekur të rianimojnë 26-vjeçarin, por me të mbërritur në spital ai ka ndërruar jetë. 

Policia, që po rindërton dinamikën e ngjarjes, ka marrë menjëherë në pyetje pronarin e shtëpisë, e cili ka deklaruar se ka shtënë pa dashje në drejtim të shqiptarit dhe se nuk kishte qëllim ta vriste atë. Momentalisht identiteti i viktimës nuk bëhet i ditur. 

/BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button