Rama: Pse e ftoj Bashën në tryezën e dialogut

Kryeministri tha se nuk e ka ftuar opozitën në tryezën e dialogut për Reformën në Drejtësi, por për të gjitha shqetësimet që ajo ka

Kryeministri Edi Rama, tha dje në “Tonight” të Ilva Tares, se Reforma në Drejtësi ka ngecur te Partia Demokratike, që sipas tij nuk është në opozitë, por ka ngecur te Parku i lojërave te Liqeni.

“Ne jemi gati. Kemi një pamje shumë të qartë falë Komisionit të Venecias. Tani presim a do të vijnë në komision apo jo?”.

Sipas Ramës, tani nga Reforma në Drejtësi nuk ka ndonjë shkencë të madhe, pasi “Venecia” dha një hartë për ndryshimet kushtetuese mbi të cilat duhet ecur.

Rama dje saktësoi ftesën për lidershipin e opozitës që bëri paradite gjatë konferencës me komisionerin e zgjerimit Johannes Hahn.

Ai tha se nuk e ka ftuar opozitën në tryezën e dialogut për Reformën në Drejtësi, por për të gjitha shqetësimet që ajo ka.

“Dialogu për Reformën në Drejtësi zhvillohet në komisionin parlamentar, ata kanë tagrin për të bërë ndryshimet kushtetuese. Unë e kam fjalën për një dialog, ku edhe pse mund të mos biem dakord, të diskutojmë në mënyrë civile” -tha ai.

Kryeministri sqaroi se tryeza me opozitën bëhet për të “për çështje që e shqetësojnë PD, që i thotë nga Tv dhe nga Parlamenti. Duke i hequr ujërat e tepërta, mund të ketë çështje për të diskutuar me Partinë Demokratike. Mund të mos biem dakord për asgjë, por të biem dakord që mosdakordësia të jetë civile”.

I pyetur për formatin e takimit, se a do të ishte ai dhe kreu i PD, apo zyrtarë të lartë, Rama tha se “Unë thashë lidershipi, ata e vendosin vetë kë sjellin.”

Ai e quajti pozitive tryezën politike si mjet për të dëgjuar njëri-tjetrin. Duke shprehur gatishmërinë që të takohet në çdo moment me “miqtë” e PD, Rama shtoi se “sigurisht dhe zoti Meta do të jetë pjesë nëse do të dëshirojë, sepse drejtojmë bashkë një koalicion”.

Çështja Suli dhe Leskaj

Rama u shfaq i vendosur që të mos lëshonte të paktën publikisht çështjen e mandateve të deputetëve Suli dhe Leskaj.

“Ata bëjnë interpretim të tyre sepse vendimi i Kushtetueses është vetëm për një pikë dhe jo për të tretët. Ne kemi leximin tonë, ata kanë leximin e tyre.”

Ai theksoi se mazhoranca është e pa sfiduar nga opozita. Duke iu rikthyer Reformës në Drejtësi Rama ishte i mendimit se opozita s’e do reformën sepse “ne jemi në tavolinë duke pritur që të miratojmë reformën”.

“Ata s’vijnë se kanë një hall shumë të madh. Edhe ata e dinë se kush e aborton këtë reformë do të marrë një shpullë nga zgjedhjet nga populli shqiptar, që s’do të jetë e krahasueshme me asnjë nga zgjedhjet e tjera”.

Rama hodhi poshtë variantin e zgjedhjeve të parakohshme që vetë mazhoranca e ka hedhur së fundmi.

“Jemi në planin ‘a’ dhe s’flasim dot për planin b dhe c. Unë kam pritshmëri që Reforma në Drejtësi të miratohet në pranverë. Ndërkombëtarët në këtë reformë nuk janë spektatorë, janë bashkë-autorë. Dhe nuk është një proces që do të vazhdojë si herët e tjera. Në rast se këtu do të ketë një pengesë që do ta vonojë procesin, kush do të bëhet pengesë do të marrë nga partnerët një shpjegim publik se pse procesi nuk shkoi si duhet. Hahn tha sot se s’mund të vihen kushte të tjera që s’kanë lidhje me Reformën në Drejtësi”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button