TË METAT SHQIPTARE

Popujt e vegjël, të gjendur në situata të vështira mbijetese përgjatë historisë, i kanë glorifikuar virtytet para të tjerëve dhe i kanë fshehur veset e tyre. Por veset ja kanë fshehur edhe vetvetes.

Çdo komb, së paku për nevojat e veta, duhet t’i njeh veset e tij. Çdo komb ka virtyte e vese, kurse shqiptarët nuk bëjnë përjashtim.

Një komb që zhvillon mendimin kritik kundrejt të metave të tij shkon drejt progresit. Ky ishte shkaku që shumë mendimtarë folën për të metat tona, me bindjen se shqiptarët do të vetëdijesoheshin e do t’i shkulim nga shpirti.

Faik Konica i mbrojti shqiptarët para të huajve, por u foli ndryshe vetë atyre. Shau dhe e shanë. Sipas Konicës shqiptari është njëfarë princi, njëfarë ishulli. Ai gjykonte se shqiptarët nuk mund të zhvilloheshin nëpërmjet mburrjes, por duke qenë kritik ndaj vetvetes. E kritikoi shqiptarin për mungesë ideali; që vritet për cikërrima dhe jo për kauzë. Mbetet aktuale pyetja e tij: “Si të bëhen shqiptarët?

Branko Merxhani, në analogji me atë që tha Niçe, kërkonte organizimin e kaosit brenda qenies shqiptare. Ai mendonte se një popull nuk mund të dëshmohet pa e njohur vetveten dhe pa e organizuar kaosin brenda tij. Në këtë mision rol parësor luan kultura.

Anton Harapi, sikurse Merxhani, mendonte se shqiptarit duhej t’i forcohej ndjenja për “jetë të përbashkët” – krijimi i ndërgjegjes shoqërore dhe jo të mbetej “ego concentricum”. Duke folur për etnopsikologjinë e shqiptarit ai përmendi disa të meta: shqiptari është i mangët për edukatën e përbashkët; e quan qesharake iniciativën e përbashkët; ik nga detyrat kolektive për të mirën e përgjithshme; ka mungesë ideali (“përtej derës së oborrit nuk e sheh rrezikun, as armikun”); është individualist egoist, që i kapërcen caqet e arsyes. Si rrezik kryesor e shihte përçarjen. Thoshte: “një popull i përçarë, është një popull i humbur”.

Mit’hat Frashëri, në librin “Plagët tona”, gjithashtu flet për të metat. Sipas tij, shqiptarit i mungon durimi dhe metoda në punë; nuk i pranon të metat, prandaj s’e ndreq shtrembësinë; i mungon altruizmi dhe solidariteti; jeta shpesh për të nuk ka vlerë (“Pushka kërcet vetvetiu. Ai që vdes në një ferrë nuk quhet fatkeq. Ai që vret nuk ndjehet i turpëruar, por mburret dhe hiqet krenar”). Veçon edhe ndjenjën për lakmi, si pasojë e varfërisë; egoizmin, si pasojë e gjeografisë së vendit; mungesën e dëshirës për të punuar tokën (“Shqiptari nuk ka pasur dëshirë ta punojë tokën. Punën e ka shikuar si një turp, mëkat, mallkim, përbuzje”); gjithashtu veçon përtacinë e harbutërinë; të luftuarit për të tjerët dhe jo për vetveten; të jetuarit me rrëmbim dhe jo me djersën e ballit; ndjenjën e theksuar për aventura; mungesën e solidaritetit ndaj vëllezërve më të dobët; mungesën e ndjenjës dhe virtytit për kombin; përçarjen e theksuar; indiferencën ndaj përparimit; rrëmbimin, inatin e zemërimin e tepruar, në vend të durimit, punës së qetë e me vazhdim metodik.

Tajar Zavalani, mendimtar i viteve 30-të, si të meta, mes tjerash, veçon: mungesën e disiplinës, egoizmin e cekët, mungesën e solidaritetit, që pengonin kooperimin brendashqiptar. Ai thotë: “Stan me lepuj dhe punë kolektive me shqiptarët, janë gjëra të pamundura”.

Vangjel Koça, në shkrimin “Qëllimi i jetës shqiptare”, gjykonte se shqiptarëve u mungonte një qëllim jete. Ai e çmon periudhën e Rilindjes kombëtare, si përsëritje e periudhës së Skënderbeut, sepse krijoi si qëllim jete – nacionalizmën, që nuk arriti të shtrihej e të ishte kolektive. E çmon gjithashtu periudhën e Mbretit Zog, sepse, sipas tij, i dha qëllim jetës shqiptare: formësimin e shtetit dhe zgjimin e ndjenjës së europianizmës brenda qenies tonë.

Pa qëllim jete, pa ideal, nuk krijohet një qytetërim. Shqiptarit nuk i mungojnë cilësitë e duhura për ta krijuar atë, por sipas Koçës, i duhet një drejtim, i duhet që ta organizojë jetën kaotike, që të krijojë një ideal më të lartë e me frymë krijuese e dinamike.

Si të metë e veçon mungesën e idealizmës tek ata që merren me politikë. Ai thotë: “në jetën politike nuk shohim tjetër gjë veç se përpjekje për t’u pasuruar dhe për të marrë rroga”.

Krist Maloki, në shkrimin “Perëndimor apo lindor”, heq paralele ndërmjet, siç i quan ai, shqiptarit me mendësi lindore dhe perëndimore. Shqiptari lindor, sipas tij, është qelepir, njeri qejfesh e lezetesh, që nuk e njeh detyrën e ndershme, nuk e njeh sakrificën vetëmohuese ndaj botës, nuk turpërohet për veprën shkatërrimtare, por bëhet kryelartë, kapadai, qejfli. Gjithashtu, nuk e njeh turpin, kurse ideali i tij janë “kolltuku e llokma”. Për të mirën personale përdor çdo mjet, kur e do nevoja bëhet “patriot dhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë”. Këto të meta, sipas Malokit, janë pasojë e sundimit Bizantin, e që u trashëguan edhe në atë osman.

Të qenit perëndimor, sipas Malokit, nënkupton të kryesh detyra të ndershme, i shtyrë nga dëshira dhe jo nga përfitimi material; të kesh ndjenjë vetëmohimi e vetëflijimi për një detyrë që ia ngarkon vetes, për një ide të lartë, që “s’ka punë me kolltuqe apo llokma”. Mbi të gjitha si detyrë e lartë është që me sjelljen e mirë të shërbejë si shembull e rregull për të gjithë. Të sillet me butësi me të tjerët, të pranojë, të nderojë dhe të çmojë çdo njeri, qoftë i madh a i vogël, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez.

“Shpirti fisnik i një perëndimori është pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik”, thotë Maloki.

Mund të veçojmë mendime të shumta për të metat tona, të thëna me zemër të plasur. Nuk mjafton vetëm të flasim për veset që na shfaqen ku(r)do. Duhet që të reflektojmë për t’i shkulur nga shpirti. Duhet t’i njohim, t’i pranojmë e pastaj t’i shërojmë të metat e shumta. Ky është misioni që fillon nga familja, shkolla e institucionet tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button