Pacientët të lodhur nga mjekët që nuk e njohin sistemin e ri elektronik

Me zëvendësimin e librezave të shëndetësisë me kartelat elektronike, pacientët ballafaqohen me probleme të shumta. Ata enden koridoreve të ambulancave , për shkak se disa nga mjekët nuk dinë të përdorin sistemin e ri elektronik.

“Tërë ditën jam duke pritur për një kontroll. Librezën nuk e kam me vete, e kam vetëm kartelën por mjekja ime amë më tha që të shkoj të një mjek tjetër sepse ajo nuk di të punojë me sistemin e ri elektronik, ose më sugjeroi që të kthehem në shtëpi dhe të marr librezën shëndetësore”, tha një pacient.

Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor bëjnë të ditur se mjekët të cilët nuk dinë dhe nuk shfaqin interes për të mësuar që të punojnë me sistemin e ri, do të sanksionohen.
“Ka pasur mjaft trajnime të mjekëve se si duhet të punojnë në mënyrë elektronike. Si të futen të dhënat si të regjistrohen ato në dosjen e pacientëve etj. Ne e kuptojmë që mjekët janë të zënë dhe disa nuk kanë qenë prezent në trajnime, por ato nuk duhet shmangur, ata që nuk dinë të përdorin sistemin e ri do të sanksionohen”, tha Rudina Fazliu, shefe e kabinetit.

Ajo shtoi se interesi i pacientëve është primar, andaj të gjithë ata që ballafaqohen me këta mjek duhet t’i paraqesin ata tek ne.

“Jemi të vetëdijshëm që ka probleme dhe i kemi parashikuar këto, por lusim pacientët që kur të ballafaqohen me situata të tilla të paraqesin mjekun tek ne dhe sipas shkeljes së detyrës që ne do ta verifikojmë, ai do të sanksionohet”, tha Fazliu.

Ajo thotë se puna me sistemin elektronik është e detyrueshme dhe se nuk është arsyetim i disa mjekëve që thonë se nuk dinë të punojnë me kompjuterë.

Ndërkaq  ata qytetarë të cilët ende nuk janë pajisur me kartelë elektronike shëndetësore, ju bëjmë me dije se kanë afat deri në muajin qershor të vitit 2014, që t’i sigurojnë ato. 

Lajme të ngjashme

Back to top button