Guardiola: Nuk është Bayerni ekipi më i mirë në Europë

Bayerni i këtij sezoni i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë, luan bukur, ka një tjetër stil loje nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe rezultatet nuk kanë munguar, megjithatë tekniku spanjoll nuk mendon se ekipi i tij është më i miri në Europë.

Ka shumë presion mbi Guardiolën, duhet të përsërisë sukseset e sezonit të kaluar me bavarezët që nën komandën e Heynckes fituan kampionatin, Kupën e Gjermanisë dhe titullin në Champions League. Për momentin gjithçka është në rrugë të mbarë, Bayerni renditet i pari në Bundesliga dhe avancoi në Champions si lideri i Grupit D, por gjithsesi Guardiola kërkon përmirësim të mëtejshëm.

“Nuk jemi ne më të mirët në Europë. Sezoni i kaluar ishte i jashtëzakonshëm. Skuadra fitoi shumë me Heynckes dhe për këtë jo më kot mori shumë elozhe. Deri tani nuk e meritojmë të përgëzohemi. Kemi ende shumë punë për të bërë”.

Në takimin e fundit të fazës së grupeve në Champions, Bayerni u mund 2-3 nga Manchester City dhe Guardiola kërkon reagim prej skuadrës kundër Hamburgut.

“Kam ndjesinë se njerëzit mendojnë se titulli në Bundesliga është vendosur, por nuk është e vërtetë. Jemi vetëm në Dhjetor dhe ka ende shumë kohë përpara. Fitorja me Hamburgun është e rëndësishme për t’i mbajtur rivalët larg nesh. Duhet ta pranoj se jam surprizuar nga vështirësia që gjej në çdo ndeshje të kampionatit gjerman”.

Guardiola konfirmoi gjithashtu se një vendim për aktivizimin ose jo të të dëmtuarve Alaba e Martinez, do të merret pak para ndeshjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button