Dita e 5-të e arratisjes, vijojnë kërkimet

Për pesë ditë me radhë policia e Korçës, e mbështetur edhe nga forcat speciale dhe ato RENEA, vijon kërkimet për kapjen e tre të arratisurve nga burgu i Drenovës.

Policia e Korçës dyshon se tre të arratisurit, Reiz Haxhiraj, Gëzim Toma dhe Eduard Lulo, mund të jenë fshehur në stanet greke. Kërkimet gjithashtu janë përqendruar në zonën kufitare të Dardhës e Devollit.

Ndërkohë sot pritet të jepet masa e sigurisë për 21 punonjësit e burgut të Drenovës. 21 punonjësit, mes tyre edhe dy gardianë, u arrestuan pas arratisjes së shtatë të dënuarve me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Arrestimi i 3 të arratisurve

Admir Tafili, Gëzim Guri dhe Fran Marashi u arrestuan në një magazinë të vjetër në qytetin e Përrenjasit, pasi u arratisën së bashku me katër të dënuar të tjerë nga burgu i Drenovës. Ndërsa Artur Gora u arrestua në fshatin Dishnicë, teksa po përpiqej të shkonte në shtëpinë e tij në Pojan të Korçës, pas arratisjes nga burgu mbrëmjen e 23 nëntorit.

Masa e arrestit për 4 të arratisurit dhe 3 ndihmësit e tyre

Gjykata e faktit në Korçë ka lënë dje në burg katër të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Kështu Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri dhe Artur Gora si dhe tre bashkëpunëtorët e tyre Olsion Maçi, Albi Meçini dhe Ervis Lami iu dha masa e arrestit “burg”.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se Tafili ka pranuar se ka qenë organizatori i arratisjes se bujshme nga burgu i Drenovës. Shkak për arratisjen, sipas tij, është bërë gjykimi i padrejtë ndaj tij.

“S’donim të vrisnim askënd. Gardianët na i hapën vetë dyert, por nuk kishim për qëllim të vrisnim njeri. Arratisjen e kam menduar unë në shenjë proteste për padrejtësitë që më janë bërë”. Këto kanë qenë fjalët e Admir Tafilit në sallën e gjyqit. I dënuari i përjetshëm, Tafili nuk ka pranuar të nisë rrëfimin pa hyrë në sallën e gjyqit avokati i tij, Baftjar Rusi

I dënuari Fran Marashi ka pohuar në gjykatë se kërkon që dosja e tij të rihapet për hetim, ndërsa Gëzim Guri ka thënë se nuk ka qenë pjesë e arratisjes dhe se e kishte mësuar planin vetëm në momentin e fundit.

Gjykata e faktit në Korçë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për tre personat të cilët ndihmuan nga jashtë për arratinë e shtatë të dënuarve. Konkretisht bëhet fjalë për shtetasit: Ervis Lami, Olsian Maçi dhe Albi Meçani, të cilët akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe largimin e të dënuarve nga vendi i dënimit./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button