Edi Rama: Zgjedhje të parakohshme? Janë plani C

Kryeministri Edi Rama shprehet i bindur se reforma në drejtësi do të kalojë pa “stërmundime”. Rama thotë se priste më shumë rezistencë për draftin e kësaj reforme, pro nëse nuk do të ketë pengesa të reja rrugës, ajo do të shkojë normalisht drejt përmbylljes.

“Unë besoj shumë se do te bëhet gjëja e duhur. Kam pritur më shumë përpjekje për ta penguar reformën. Ato kanë qenë mjaft të dobëta, po të kemi parasysh se sa të forta janë qëllimet dhe propozimet që përmban kjo reformë. Pra, gjithçka deri me tash ka qenë fare normale, edhe sikur të kishte pasur shumë më tepër përpjekje për të ngritur pengesa, përsëri nuk do të kishte qenë anormale. S’ka reformë pa reaksion dhe kjo nuk është një reformë e zakonshme, është një tërmet! Prandaj nëse trendi i mëtejshëm do të jetë ky i derisotmi, reforma do të kalojë pa stërmundime”, shprehet Rama.

Ndërkaq, duke korrigjuar deklaratën e tij të hershme rreth Planit B, i cili u konsiderua nga opinioni publik sikur nënkuptonte zgjedhjet e parakohshme, Rama shprehet se në fakt këto zgjedhje “janë Plani C”, si për të treguar sa e largët është sipas tij kjo mundësi. Rama thotë megjithatë  se “është plotësisht dakord me ata që flasin për zgjedhje të parakohshme, nëse reforma s’kalon”.

I pyetur nëse do të shkohet në zgjedhje të parakohshme në rast të mosaprovimit të reformës në drejtësi, Rama tha se një mundësi e tillë është shumë e largët.

“Unë s’flas asnjëherë me në qoftë se dhe nuk shoh arsye për të menduar zgjedhjet, përderisa plani A është në rrugën e vet të natyrshme dhe as që është shtruar fare deri këtu nevoja për planin B! Zgjedhjet do të ishin plani C, pra një mundësi shumë e largët që mbase do ta konsideronim nëse plani A nuk funksionon dhe nëse plani B nuk realizohet… Por, thënë këto, jam plotësisht dakord me ata që kanë folur për zgjedhje nëse reforma s’kalon, në kuptimin që kjo reformë nuk mund të dështojë sikur asgjë s’ka ndodhur! Sepse është reforma që garanton të gjitha reformat e tjera”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button