Zhduken tre të arratisurit; Tafili në gjykatë: Arratisjen e organizova unë

Nuk ka asnjë gjurmë nga tre të arratisurit nga burgu i Drenovës në Korçë. 

Ata dyshohet se janë larguar për në Greqi, duke kaluar nëpër malin e Gramozit me anë të tri mushkave. Tre të arratisurit Eduard Lulo, Reiz Haxhiraj, si dhe Gëzim Toma, dyshohen nga policia se janë të fshehur përtej kufirit shqiptar në Greqi. Megjithatë, policia greke ka shtuar kontrollet nëpër vijën kufitare të saj.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, gjykata dha masën e sigurisë për katër të arratisurit e tjerë që u kapën pak orë pas ngjarjes. Gjatë dëshmisë në seancë, Admir Tafili pranoi se i gjithë plani ishte organizuar prej tij dhe se ai mbante përgjegjësinë për gjithçka. “Unë kam organizuar arratisjen. Gjithçka e kam bërë unë. Fajtori i vetëm për këtë ngjarje jam vetëm unë. E bëra një gjë të tillë për shkak se jam dënuar padrejtësisht nga gjykata lidhur me çështjen e Arben Zylyftarit. Nuk kisha për qëllim të vrisja njeri. Ashtu ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ne nuk lënduam asnjeri, por vetëm u arratisëm nga burgu i Drenovës”, tha Tafili.

Ai dha edhe arsyet pse e kishte ndërmarrë këtë akt. “Unë jam arratisur për shkak se s`mu pranua gjykimi i shkurtuar për vrasjen e 2 vëllezërve Pjetrushi. Plani i arratisjes? Ishin edhe 2 të tjerë të pakënaqur në burg dhe vendosëm bashkërisht për t`u larguar nga burgu i Drenovës. Armët i kishim te frigoriferi, s`kishim qëllim me vra askënd. Ndaj meje janë bërë padrejtësi, i njëjti gjyqtar që më ka gjykuar herën e parë, më gjykoi dhe herën e dytë. Ikëm se donim të tërhiqnim vëmendjen e opinionit publik. Policëve në qeli u thamë me armë në dorë: `Do ju vrasim, na lini të ikim`.

Pas arratisjes, u ndamë në 3 drejtime të ndryshme, unë për vete u nisa drejt Tiranës. Pasi dolëm nga burgu hipëm në makinë, pastaj ikëm në Pogradec. Aty e braktisëm makinën, ecëm në këmbë. Në një moment, ne kujtuam se ishim në Librazhd, nuk e dinim që ishim në Përrenjas. U futëm në një magazinë për t`u ruajtur nga i ftohti. Kur erdhi policia, u dorëzuam paqësisht, ngritëm duart përpjetë. Donim të tërhiqnim vëmendjen e opinionit publik, nuk donim të arratiseshim përgjithnjë. Pas arrestimit më kanë trajtuar si kafshë. Që kur më kapën deri tani (3 ditë) më kanë lënë pa bukë”, tha Tafili.(Start)

Lajme të ngjashme

Back to top button