FIFA nis “betejën” me figurat e korruptuara

Gianni Infantino nuk humbet kohë. Presidenti i ri i FIFA-s ka nisur punën për të pastruar imazhin e institucionit që drejton pas skandalit të korrupsionit që shkaktoi një furtunë të vërtetë në vitin 2015.

Miliona dollarë dëme i janë shkaktuar institucionit me seli në Zyrih, madje sipas mediave britanike, hapi i parë është bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë amerikane dhe zvicerane për të marrë sa më shumë të dhëna, pasi rezultojnë plot 28 milionë dollarë deme që dyshohet se janë paguar për të lobuar per kandidaturat e Botërorëve 1998 dhe 2010. Shpenzimet e bonuseve për pagat kanë vënë në lupën e hetimit 41 ish funksionarë të lartë por “gropa” financiare mund të thellohet edhe më shumë sepse mediat pretendojnë që janë shpenzuar rreth 100 milionë Dollarë për aferat korruptive. Objektivi i FIFA-s është që ish zyrtarët të dënohen dhe të detyrohen të dëmshpërblejnë institucionin për dëmin që i kanë shkaktuar, pasi reputacioni i këtij institucioni dhe marka e tij kanë marrë një goditje të madhe. Disa nga “peshqit e mëdhenj” të kësaj gjuetie janë Jack Warner, Chuck Blazer dhe Jeffrey Webb.

Dy të fundit mendohet se kanë korruptuar federata të ndryshme për të votuar kandidaturën e Afrikës së Jugut për Botërorin 2010.

Në krahun tjetër, prokurorja amerikane Loretta Lynch po thellohet në hetimet ndaj ish presidentit të CONCACAF, Jeffrey Webb, i cili ka shpenzuar shuma marramendëse për çështjet e tij private dhe burime zyrtare të FIFA-s besojnë se kjo çështje do të përfundojë me dënimin e Webb.

Presidenti Infantino premtoi një betejë të ashpër ndaj emrave të përlyer, duke theksuar se paratë e shpenzuara prej tyre i përkasin FIFA-s, e cila duhet t’i përdorë për të sponsorizuar zhvillimin e futbollit në mbarë botën.

“Jemi të vendosur për të kthyer në arkën e FIFA-s paratë e shpenzuara, nuk ka rëndësi se sa kohë do të kërkojë kjo çështje. Shumë prej emrave të dyshuar kanë mbushur xhepat e tyre duke përfituar nga pozitat e larta në këtë institucion”, theksoi presidenti i ri.

Beteja për Infantinon sapo ka filluar, FIFA kërkon me çdo kusht t’i adresojë paratë e shpërdoruara drejt objektivit final që është mbështetja dhe zhvillimi i sportit të futbollit në çdo cep të planetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button