Në komunat shqiptare rritet nataliteti, tek ato maqedonase rritet mortaliteti

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetërorë për Statistikë, në komunat shqiptare në Maqedoni, numri i popullsisë shënon rritje, ndërsa te  komunat e banuara me  maqedonas, numri i popullsisë shënon ulje, në përjashtime shumë të vogla.

Të dhënat e Entit shtetëror për statistikë tregojnë se numri i fëmijëve të lindur në tremujorin e tretë të vitit 2013 është 3, 2 për qind më i ulët se ai i tremujorit të tretë të vitit të kaluar, ndërkaq, numri i personave të vdekur në tremujorin e tretë të këtij viti është 0, 1 për qind më i lartë se ai i tremujorit të tretë të vitit të kaluar.

Po ashtu është ulur për 3, 3 për qind edhe numri i  kurorëzimeve në tremujorin e tretë të këtij viti në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Më shumë vdekje sesa lindje ka në komunat: Karposh, Berovë, Manastir, Bogdanci, Gjevgjeli, Debarcë, Dellçevë, Demirhisar, Krivogashtani, Makedonski Brod, Ohër, Resnjë, Sveti Nikolë.
Më shumë lindje se vdekje ka në Saraj, Çair, Aerodrom, Gazi Babë, Shuto Orizarë, Bogovinë, Gostivar, Zhelinë, Kumanovë, Strugë, Studeniçan, Tetovë.

Numri i lindjeve është gati i barabartë me atë të personave të vdekur në komunat: Vevçan, Zajaz, Demir Kapi, Kriva Pallankë, Mavrovë, Probishtip e Osllomej.

Rekordin e lindjeve e mban Kumanova me 366 foshnja të lindura, pastaj vjen Tetova me 349, Çairi me 293, Gostivari me 232, Gazi Baba me 218, Manastiri 214, Prilepi me 201.
Rekord vdekjesh ka Manastiri 278, Kumanova 219, Tetova 196, Prilepi 181, Karposhi 169. Më shumë martesa kanë ndodhur në Gostivar, Manastir e Strugë.

Lajme të ngjashme

Back to top button