Rama: Referendum për mandatin tim, ta vendosin socialistët

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para Asamblesë së Partisë Socialiste, e mbledhur mesditën e sotme, ka pranuar se statuti i PS nuk është respektuar lidhur me zgjedhjen e tij si kryetar, por ka shtuar se mandati i tij, i fituar sipas parimit 1 anëtar-1 votë nuk mund të rinovohet me votën e kongresit të partisë, ashtu siç është përfolur deri më tani. Sipas Ramës, PS-së nuk i duhen në këto momente, kur është e angazhuar plotësisht në shtetformim, të përfshihet në zgjedhje sipas tij të kota. E vetmja rrugë për të ruajtur demokracinë në PS, sipas Ramës, në mënyrë që të respektohet shumica që nuk duan zgjedhje për kryetar të ri dhe një pakice që duan, është që mandati i tij të shkojë në referendum dhe për të, të vendosin socialistët në të gjithë Shqipërinë.

“Statuti nuk është respektuar lidhur me zgjedhjen time kryetar. Por pse nuk është respektuar, opinionet janë të ndryshme. Mandati im nuk mund të kalohet në kongres dhe nuk mund të rinovohet me votën e kongresit, mandati im është fituar sipas parimit 1 anëtar-1 votë. Shumica nuk mund t’i imponohet një numri të vogël personash që duan zgjedhje. Por PS nuk ka ndërmend të lërë qeverisjen për të hyrë në një palë zgjedhje të kota. Qëllimi pas kësaj përpjekje është rrëzimi i qeverisë, ndryshimi programit qeverisë për të cilën kanë votuar 1 mln njerëz. Këto përpjekje s’mund ta shfokusojnë PS nga përpjekjet për të bërë shtet. Ka vetëm një mundësi; referendum për mandatin tim, ta vendosin socialistët në gjithë Shqipërinë, me votë të lirë e të fshehtë, 1 anëtar-1 votë, nëse unë duhet të largohem nga posti i kryetarit të PS apo mandati im rinovohet sipas mandatit laburist”, tha Rama.

Rama pranon: S’isha i aftë të bëja detyrën e kryetarit, vendi kishte nevojë për qeverisje

Kryesocialisti ka bërë ‘mea culpa’ teksa ka pranuar se gjatë kohës që PS ka qenë në pushtet, ai nuk ka qenë i aftë të merret si duhet me punët e brendshme drejtuese të Partisë, gjë që sipas tij ka ndodhur për faktin se kur PS erdhi në pushtet u gjend përballë një emergjence për të zgjidhur gjendjen e rëndë financiare të vendit.

“Kërkoj sinqerisht ndjesën e çdo pjesëtari të kësaj familje politike, dhe absolutisht të askujt tjetër, se askush tjetër nuk ka tagrin të më bëjë mua moralin e vlerave dhe të parimeve demokratike. Duan s’duan kundërshtarët tanë të lodhur apo përgojuesit tanë të shumtë pa këtë parti, demokracia në këtë vend do kishte avulluar, pavarësisht të gjithë atyre që nuk na duan, kjo parti ka merita që nuk i ka asnjë parti tjetër. Nuk kam qenë i aftë të gjej në rrugën pas zgjedhjeve vëmendjen, energjinë dhe kohën e nevojshme për ta bërë edhe këtë detyrë me të njëjtin angazhim dhe efektshmëri që kam bërë detyrën e kryeministrit. Nunë nuk munda, nuk dita dhe nuk e bëra këtë detyrë siç duhej dhe do kisha dashur. Kur morëm në dorë shtetin u gjetëm në emergjencë për të zgjidhur gjendjen e rëndë financiare të vendit”, tha Rama.

Rama tha se në këto 30 muaj qeverisje PS ka treguar vlerat më të larta, duke u transformuar rrënjësisht në përbërjen e vet sociale për të përmbushur misionin e vet për të bërë shtet, ndërsa ka kërkua ndjesë nëse në këto muaj i ka hyrë ndokujt në hak në parti.

“Nëse për ndonjë arsye jam treguar i vogël me secilin prej jush në këto 30 muaj ngarkesë të jashtëzakonshme, i kërkoj ndjesë. Në këto 30 muaj kemi treguar vlerat e PS-së dhe kemi bërë shumë për Shqipërinë. Kemi menduar edhe çfarë mund të bëjmë mirë dhe shumë mirë. Një nga këto mësime ka qenë se na duhet një Parti Socialiste e reformuar, e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale. Një parti socialiste aktive dhe ndërvepruese në të gjitha nivelet e organizimit. Nuk ka asnjë përveç PS që mund ta përmbushë misionin për të bërë shtet. Asnjë forcë udhëheqëse përveç PS nuk mund ta mbajë barrën e lidershipit”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button