Ahmeti: Ti respektojmë shqiptarët e rënë, tu bëjmë pllaka përkujtimi

Për çdo koskë të gjetur nga shqiptarët e vrarë, do të vëmë nga një pllakë përkujtimore, që do të dëshmojë për viktimat shqiptare nga e kaluara, porositi lideri i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë zbulimit të djeshëm të pllakës përkujtimore të tre shqiptarëve të vrarë, gjatë vitit 1944, në Debreshtë të Gostivarit.

Ahmeti deklaroi se shqiptarët ishin vrarë nga ustashët dhe cetnikët, barbarët dhe bandat kriminale, që kishin për qëllim të zhdukin popullin shqiptarë, nga këto troje.

“Këta të rënë shqiptarë duhet të respektohen. Në këtë pjesë të Gostivarit ka edhe 50 viktima tjera. Ne ata, s’mund t’i lëmë pa pllaka përkujtimore. Nëse këtë e lejojmë, gjeneratat e reja s’do na i falin”, deklaroi Ali Ahmeti.

Lapidari u ndërtua me iniciativë të banorëve të Debreshit, të mbështetur edhe nga kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe kompania Kartel, Magnum Trans dhe Rosen Center. 

“Viktimat shqiptare ndihmuan që ne të mos jemi të diskriminuar si popull. Me këtë perkujtimore i bëjmë respekt të rënëve. Kur ne kushtojmë të veçantë, i ruajmë doket, traditat, zakonet dhe i nderojmë dëshmorët e kombit, atëherë kombi shqiptar do të ketë një ardhmëri të madhe. Të gjithë dëshmorët kanë punuar dhe luftuar në interes të njerëzisë, kombit dhe atdheut, kanë luftuar dhe punuar që në vendbanimet shqiptare të zhvillohet demokracia, të zhvillohet liria, drejtësia dhe barazia. “, deklaroi kreu i Gostivarit Nevzat Bejta.

Ceremonia nisi me lutje fetare për dëshmorët  nga myftiu Shaqir Fetahu dhe përfundoi me shpalosjen e lapidarit. 

Të pranishëm në këtë manifestim që shënohet në Ditën kur shqiptarët festojnë 105 vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ishin familjarët e dëshmorëve, banorë të Debreshit, kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, Kryetari Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, Muftiu i Gostivari, Shaqir Fetahu, deputet të zonës dhe personalitete të tjera. 

Në emër të tre dëshmorëve të kombit, Rrahman Alili, Rexhep Iljazi dhe Fejzo Rizvani foli Omer Alili, i cili tha se dëshmorët sakrifikuan jetën e tyre për idealin më të lartë lirinë dhe të drejtën e popullit të këtyre trojeve. 

“Ne si familjar i shprehim mirënjohje dhe falënderim të veçantë kryetarit të komunës, i cili e financoi këtë projekt dhe na bashkoi të gjithëve bashkërisht, të përkujtojmë dëshmorët e kombit tonë”, tha Alili.  

Lajme të ngjashme

Back to top button