Shuker rikonfirmon, do të ketë miqësore me Kosovën

Davor Shuker e ka shumë seriozisht. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë qëndron prapa deklaratave që i dha një ditë më parë për ‘Sport Avaz’ të Bosnjës e Hercegovinës.

Këtë herë, numri një i futbollit kroat flet për herë të parë për një medium kosovar, duke rikonfirmuar për gazetën “Arena” se Kroacia do të jetë kundërshtari i parë i Kosovës, pas lejimit të zhvillimit të ndeshjeve miqësore nga FIFA.

Shuker u bëri thirrje të gjithë kosovarëve ta presin të qetë vendimin e FIFA-s, duke bërë me dije se miqësorja Kosovë – Kroaci, thuajse është punë e kryer. “Mendoj se ndeshja do të ishte një gjë e bukur për Kosovën, e dini qëndrimin tim dhe ruajeni atë.

Gjëja më e rëndësishme është ta prisni lejen nga FIFA, e pastaj do të merremi me çështjen e miqësores”, thotë Davor Shuker përmes telefonit për “Arenën”, duke shprehur fillimisht lodhjen e tij për shkak të thirrjeve të shumta nga gazetarët kroat dhe serb, të cilët në bazë të fjalëve të tij i kishte prapësuar. “Kjo do të jetë një gjë e bukur për Kosovën, për njerëzit e juaj, dhe ju duhet të jeni krenar me ne”, ka shtuar ish-ylli i Real Madridit.

Lajme të ngjashme

Back to top button