Ernest Osmani: Luajmë për fitore dhe për “Shvercerat”

Të shtunën do të luhet xhiroja e para fundit e sezonit vjeshtor të Ligës së Dytë,ndërsa KF Shkupi para shikuesve të saj luan dhe ndeshjen e fundit. Për kundërshtarë të shtunën në Çair vjen ekipi i Borecit nga Velesi, skuadër kjo e cila për momentin është e 12-ta në tabelë me vetëm 12 pikë të tubuara dhe është një nga skuadrat që rrezikon ekzistencën në këtë ligë.

Te KF Shkupi nga xhiroja në xhiro atmosfera është përmirësuar, ndërsa puna që ka treguar strategu i mirënjohur shqiptar Nexhat Shabani ka bërë që ekipi të rrisë formën dhe të jetë ekip i cili në secilën ndeshje pretendon dhe fitoren. 
Kështu është shprehur edhe një nga futbollistët më cilësor të skuadrës, mbrojtësi anësor Ernest Osmani, i cili ka luajtur në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, duke qenë një nga motorët kryesor të mbrojtjes, e shpesh herë është parë të jetë ndihmë e madhe edhe e sulmit.

“Mendoj se jemi të gatshëm të shënojmë dhe fitoren e radhës, nga java në javë atmosfera në klub vetëm se po vjen e po rritet, ndërsa ekipi është edhe më kompakt. Është normale se ne na kanë prekur shumë lëndimet e futbollistëve kyç të skuadrës, edhe atë që në fillim të sezonit, por shpresoj se i kemi kaluar të gjitha këto sfida dhe tani do të jemi gati. Fitorja ndaj Rrufesë ishte e mirëseardhur dhe shpresojmë se kështu do të jetë edhe të shtunën ndaj Borecit. Ne nuk futemi në lojë e pa menduar për të gjitha, ajo që na inspiron edhe më shumë, janë tifozët tanë, “Shvercerat”, të cilët është mëkat ti zhgënjesh. Pikërisht për këtë kur futemi në lojë, ne japim dhe atomin e fundit që të marrim pikë dhe ti gëzojmë “Shvercerat”, është shprehur enkas për “Portalb”, Osmani.

Për këtë ndeshje te Shkupi pritet më në fund të kthehet pas lëndimit edhe Bunjamin Asani, i cili si kapiten vartë peshë të madhe te ekipi dhe është ai që shtonë vullnetin për lojë”.
“Është mirë që në këtë ndeshje do të kthehet Bunjamin Asani, kapiteni i skuadrës na motivon shumë për lojë dhe ne kemi optimizëm që me te do të fitojmë më sigurtë”, thotë Osmani.

KF Shkupi nga 13 ndeshje ka arritur të grumbullojë 19 pikë, që për Osmanin janë pak, pasi që kualitet që ka kjo skuadër ka mundur të merr dhe më shumë. “Nuk jemi të kënaqur me pikët e grumbulluara, por e thash se lëndimet na ndëshkuan rëndë. Kishim një “ushtri” futbollistësh të lënduar, por nga ana tjetër mendoj se ekipi ka fituar shumë, pas që morën shansin dhe shumë të rinj që të luajnë dhe që për ta ishte një përvojë e mirë dhe tani edhe banka rezerve është shumë e fortë dhe secili nga ne meriton të jetë në mesin e më të mirëve. Shkupi shumë shpejt do të rritet në ekip të madh, pasi kjo skuadër është e madhe dhe vendin e ka të luajë vetëm në Ligë të Parë. Shpresoj që pjesën e dytë të sezonit me disa përforcime të arrijmë kreun e tabelës dhe të sulmojmë pozitat që mundësojnë kthimin në elitën e futbollit vendor”, ka përfunduar deklaratën e tij për Portalb Ernest Osmani. Ndeshja KF Shkupi – Boreci luhet të shtunën në stadiumin e  Çairit me fillim në ora 13:00. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button