Akademi solemne në USHT, kushtuar Kongresit të Manastirit

Me Akademi solemne, të organizuar në amfiteatrin e Rektoratit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, e shënoi 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit, në të cilin u vendos për njësimin e Alfabetit të Gjuhës shqipe. 

Akademinë solemne e shpalli të hapur, Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, i cili me këtë rast tha se 22 Nëntorit të vitit 1908 i parapriu një periudhë e gjatë e shoqëruar me sakrifica të panumërta të dhjetëra rilindësve tanë, të patriotëve shqiptarë të pushkës dhe penës, të cilët edhe përkundër rrethanave skajshmërisht të vështira, në vitin 1908, prej 14 deri 22 nëntor organizuan Kongresin e Manastirit, në të cilin morën pjesë 50 përfaqësues nga 26 qytete, shoqëri e klube nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësues të fesë islame, katolike, ortodokse, të gjithë të bashkuar rreth idealit kombëtar, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Referate lidhur me rëndësinë dhe zhvillimin e punimeve të Kongresit të Alfabetit, mbajti edhe  Dekani i Fakultetit Filologjik, Fatmir Sulejmani, i cili në mes tjerash theksoi se Alfabeti i gjuhës shqipe – njërës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian, ndër më të veçantat e trungut gjenealogjik të Indoevropianishtes, ka bërë udhë të gjatë dhe të mundimshme, udhë identike me atë të etnisë shqiptare, deri  në konsolidimin e saj në Kongresin e Manastirit, të vitit 1908.

Në fjalën e tij, para pjesëmarrësve në këtë akademi, profesori i Katedrës së Historisë, Zeqirja Rexhepi, deklaroi se gjuha dhe shkrimi shqip janë kategori kulturore që na bëjnë të ndihemi shqiptarë. E gjithë lufta e popujve kaherë është zhvilluar për njohjen e gjuhës dhe shkrimit, sepse kjo do të thotë njohje e identitetit kulturor të një kombi – ose më thjesht njohje të kombit
Ky aktivitet në USHT, u përcoll edhe me një program artistik të përgatitur  nga mësimdhënësit e Programi studimor të Artit muzikor, Nita Lumani – Zenuni dhe Shkëlzen Baftijari.

Lajme të ngjashme

Back to top button