Futbollisti shqiptar pas goditjes në kokë bie në koma (Video)
Një incident i rëndë ka ndodhur në ndeshjen e javës së 23-të të Superligës, Vllaznia-Laçi, e mbyllur në barazim pa gola.
Futbollisti i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë. Përfaqësues të stafit mjekësor thanë se ai mori një goditje të fuqishme në kokë nga një lojtar i Laçit.
“Me ndihmën që i dhamë për momentin arriti një farë koshience. Këtu ka qenë koshient dhe është drejt spitalit nën mbikëqyrjen e mjekëve”, tha masazhatori i Vllaznisë, Ruzhdi Meçi për “Radio Tirana”.
Mësohet se lojtari mbërriti në gjendje kome në spital, megjithatë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, transmeton Koha.net.
Fillimisht drejtuesit e spitalit të Shkodrës kërkuan transportimin e tij me helikopter për në Tiranë, por pas ndërhyrjes së mjekëve gjendja e tij është përmirësuar.