Tetova përgatitet për festat kombëtare shqiptare

Në prag të festave të nëntorit, komuna e Tetovës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për të shënuar në mënyrë institucionale datat më të rëndësishme në kalendarin e festave tona, Ditën e Alfabetit shqip dhe 28 nëntorin – Ditën e flamurit shqiptar. 

“Duke dashur të nxisim shijet artistike dhe të promovojmë krijimtarinë autentike të gjithë atyre që flasin, shkruajnë dhe krijojnë shqip, kemi shpallur konkursin letrar në poezi dhe tregim të shkurtër ndërsa në bashkëpunim me Shoqatën e artistëve figurativ të qytetit të Tetovës dhe Galerinë e arteve pamore kemi shpallur konkurs në sferën e arteve pamore për pjesëmarrje në ekspozitën kolektive kushtuar 28 Nëntorit. 

Me 22 Nëntor në sallën e Fakultetit të arteve dramatike do të mbahet ora letrare në të cilën do të shpallen fituesit e konkursit letrar në poezi dhe tregim të përzgjedhur nga juria profesionale letrare. Po ashtu me këtë datë në hapësirat e Pallatit të kulturës do të hapet panairi i artizanaleve dhe ekspozita e skulptorit Pjetër Vukaj.

Me 22 nëntor në sallën e gjimnazit të Tetovës do të fillojë edhe turneu në futboll i cili do të zhvillohet mes institucioneve që veprojnë në territorin e komunës së Tetovës, ngjarje kjo e organizuar nga Ndërmarrja komunale. Më 25 Nëntor në Pallatin e kulturës do të mbahet programi kulturor artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollave fillore të Tetovës. 

Me 26 Nëntor në Galerinë e arteve pamore do të mbahet ekspozita kolektive e 28 punimeve të përzgjedhura nga juria profesionale nga konkursi në sferën e arteve pamore të lidhura me simbolikën e 28 nëntorit në temën “ Nesër”.Me 27 Nëntor në Pallatin e kulturës në Tetovë do të mbahet Akademia solemne kushtuar 28 nëntorit ndërsa me 28 Nëntor po ashtu në Pallatin e kulturës do të mbahet koncerti i madh i SHKA Xheladin Zeqiri.

Qytetarë të dashur, ju ftojmë që të jeni pjesë e aktiviteteve festive që komuna e Tetovës në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat kulturore dhe artistike, institucionet tjera dhe organizatat joqeveritare të Tetovës i ka organizuar për të shënuar në mënyrë solemne festat e nëntorit”, thuhet në kumtesën e Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button