NJË DITË MË PAS…

“Një ditë më pas” do të thotë të dish prej nga vjen, ku gjendesh dhe ku synon që të arrish.

“Një ditë më pas” do të thotë të gjykosh për ditët e lëna pas teje, për ditën në të cilën jeton dhe për ditët e motet që do të vijnë.

“Një ditë më pas” është përgjegjësi para kohës tënde, ku duhet të lësh gjurmët tua, por të ndjesh përgjegjësi edhe para kohës që nuk ka ardhur.

“Një ditë më pas” do të thotë të bësh përpjekjen që pasardhësit mos detyrohen ta pastrojnë bërllokun tënd; të mos harxhosh prej kohës së tyre.

“Një ditë më pas” është dashuri për ata që nesër do të shijojnë frytet e pemës që ke mbjellë; se kënaqësi nuk është vetëm ajo që e shijon, por edhe ajo që duhet ta shijojnë të tjerët, pas teje.

“Një ditë më pas” do të thotë të mos zgjohesh me ndjenjën se bën kinse jeton, duke e varrosur ditën në kotësi.

“Një ditë më pas” do të thotë të zgjohesh me ndjenjën se duhet të falësh dashuri, veçmas për ata që ndjehen të harruar e të braktisur.

“Një ditë më pas” do të thotë të mos kënaqesh me atë që të jepet, por të bësh aq sa mundesh që bota të bëhet më e denjë dhe më e bukur për të jetuar…

“Një ditë më pas” do të thotë të veprosh pasi të kesh lodhur kokën.

“Një ditë më pas” do të thotë jo vetëm të shijosh atë që të falet pa përpjekje, pa e çarë kokën për asgjë.

“Një ditë më pas” do të thotë të jesh kërkimtar e ngulmues.

“Një ditë më pas” nuk të përjashton prej kënaqësisë, por të mbron nga errësimi i mendjes dhe nga shumëçka të ligë për hir të një kënaqësie.

“Një ditë më pas” do të thotë që shikimin mos ta reduktosh vetëm te një pikë dhe jetën tënde vetëm te një kërkesë apo ambicie mizore.

“Një ditë më pas” do të thotë të mos jesh vetëm numër i pavlerë, i pa rënë në sy.

“Një ditë më pas” do të thotë të ndjesh përgjegjësinë mizore të të qenit, të lodhesh e të ngulmosh për ta dëshmuar ekzistencën.

“Një ditë më pas” nuk e duron përgjumjen dhe moskokëçarjen.

“Një ditë më pas” do të thotë të mos jesh vetëm qenie që merr, por edhe që kërkon aty ku duket se nuk ka asgjë.

“Një ditë më pas” të mundëson të bëhesh qenie me virtyt dhurimi.

“Një ditë më pas” do të thotë jo të shikosh, por të shohësh.

“Një ditë më pas” do të thotë të mos flesh sot dhe të mos heshtësh para maskarenjve të sotëm.

“Një ditë më pas” do të thotë të çjerrësh maska të bukura, që t’ua zbulosh maskarenjve fytyrat e pista.

“Një ditë më pas” do të thotë të mos bëhesh i verbër para atij që vuan padrejtësinë, sepse atëherë “një ditë më pas” do të jetë e errët…

“Një ditë më pas” do të thotë të kesh ardhur në këtë botë për të dëshmuar se je qenie e lirë së brendshmi…

“Një ditë më pas” do të thotë të jesh në anën e kundërt të atyre që jetojnë “sot për sot”, sepse “sot për sot” është mënyrë (mbi)jetese e atyre që (mbi)jetojnë në të tashmen e përhershme e të përjetshme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button