Pushteti qendror refuzon projektet nga Komuna e Strugës

Komuna e Strugës ka marrë përgjigje, nga SHA ELEM, ku thuhet se   nuk mund të financojë projektin, gjegjësisht aplikacionin nga komuna e Strugës, për arsye se mjetet financiare janë të kufizuara.

Kompania Elektranat e Maqedonisë ( ELEM), e cila në bazë të një  thirrjeje publike për grumbullimin e aplikacioneve për shpërndarje të fondeve në pajtim me Deklaratën për përgjegjësi shoqërore të SHA ELEM-Shkup, me të cilat financohen projekte të ndryshme nga organizata dhe institucione në vend, nga gjithsej  50 projekte të financuara, asnjëra nuk  është e destinuar për komunën e Strugës.

Në një komunikatë të Komunës së Strugës thuhet: “Kjo nuk është hera e parë që institucionet qendrore anashkalojnë apo diskriminojnë komunën e Strugës dhe me këtë edhe qytetarët e saj. Kohë më parë Ministria e Financave mori nga buxheti i qytetarëve të komunës së Strugës  rreth 300 mijë denarë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të mjeteve të marra nga ky buxhet në shumën prej rreth gjysmë milion eurove. Gjithashtu anashkalim u bë edhe nga Ministria e Transportit dhe Qeveria e RM-së, në rastet e dhurimit të autobusëve dykatësh për qytetet turistike, ku komuna e Strugës edhe përkundër kërkesave të shumta dhe këmbënguljes së madhe përsëri nuk pranoi asnjë, por e njëjta iu dhurua komunës së Ohrit”.

Autoritete komunale apelojnë deri tek pushteti duke i përkujtuar qeverisë  se me këto shkelje nuk dëmtojnë vetëm komunën e Strugës si institucion, por dëmtojnë dhjetëra mijëra qytetarë të kësaj komune.

Lajme të ngjashme

Back to top button