Komuna e Strugës thotë se këtë vit do fillojë rekonstruktimi i rr. “Kongresi i Manastirit”, opozita shprehet pesimiste

Në sipërfaqen e rrugës në fjalë, momentalisht në terren nuk ka ndonjë veprim konkret apo punime ndërtuese megjithatë për Portalb.mk nga Komuna e Strugës bëjnë të ditur se për këtë pjesë të rrugës ka dokumentacion teknik dhe se punimet duhet të fillojnë këtë vit.

“Ka dokumentacion teknik edhe për pjesën e dytë të rrugës “Kongresi i Manastirit”, sepse pjesa e parë nga fillimi (kafe Regata) deri te rrethrrotullimi (Policia) është plotësisht e asfaltuar me të gjitha elementet shoqëruese (infrastrukturë nëntokësore e Telekomit, rryma, kanalizimi, operatorët kabllovikë dhe ngjashëm). Pra, ka projekt edhe për pjesën e dytë dhe kjo pjesë do të rikonstruktohet pasi të përfundojnë disa punë me kanalizimin në atë pjesë, këtë vit”, deklaruan nga Komuna e Strugës.

Në fotografitë më poshtë ju paraqesim gjendjen aktuale të rrugës Kongresi i Manastirit, segmenti rrugor nga rreth-rrotullimi te policia deri tek rruga Risto Krle.

Pesimist rreth realizimit me sukses të këtij premtimi shprehen nga partia më e madhe opozitare në Komunën e Strugës, Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti thonë se Komuna e Strugës nuk ka qenë transparente për harxhimet e projekteve infrastrukturore të cilat duhet përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve struganë.

“Në seancën e fundit të datës 26.01.2023 nga shefi i financave të Komunës së Strugës, z. Abedin Nuroski, kërkova thjesht të më ceken se cilët rrugë janë hapur ose janë rikonstruktuar në Komunën e Strugës për 46,000,000 denarë të harxhuar për këtë qëllim – perveç rrugës M. Engels (Kongresi i Manastirit) e cila deri diku kishte trotuare të kompletuara, ato u hapën dhe ende sot pas 16 muajve nuk janë të mbaruar – ndërsa pagesa për atë punë jam i sigurtë që është kompletuar me kohë. Situata faktike e rrugës e dëshmon realitetin”, deklaroi Nijazi Xhumkar, këshilltar në Kuvendin lokal të Komunës së Strugës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugës Kongresi i Manastirit (pjesa e dytë), Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor Agjenda e Blertë, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

BURIMET
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 45, verifikuar më 05.02.2023

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button