Rama: Shqipëria e gatshme ta zëvendësojë Britaninë në BE

Kryeministri Edi Rama tha të hënën se, Shqipëria është e gatshme të zëvendësojë Britaninë në Bashkimin Evropian, në rast se kjo e fundit vendos të dalë nga blloku.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, një dalje e Britanisë nga BE-ja do të trondiste unionin, që edhe tani është i shënuar nga dallimet në lidhje me emigracionin dhe të ardhmen e Eurozonës, duke shkëputur ekonominë e dytë më të madhe, një nga dy fuqitë kryesore ushtarake, dhe qendrën më të pasur financiare të tij.

Por, udhëheqësit e Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq, në një samit në Londër organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thonë se, ata mendojnë që votuesit britanikë do të zgjedhin të qëndrojnë në bllok në referendumin e ardhshëm.

“Britania nuk do të largohet nga Bashkimi Evropian. Ky është mendimi im”, tha Aleksandar Vuçiq.

“Nëse Britania largohet, ne jemi gati ta zëvendësojmë atë. Por nuk besoj se do të ndodhë kjo”, tha kryeministri Edi Rama.

Nga vendet e Evropës Juglindore, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia janë anëtare të BE-së, ndërsa Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia janë vende kandidate. Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, në anën tjetër, shpresojnë të anëtarësohen një ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button