DUKE PRITUR D. TUCOVIQIN

Shkrimet e ndryshme në shtyp e në mediat elektronike maqedonase e serbe po e vazhdojnë traditën e gjuhës së urrejtjes ndaj të tjerëve dhe të ndryshmes, në radhë të parë ndaj shqiptarëve. Tash madje është më keq, po ta kemi parasysh zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe shumësinë e mediave, por edhe garën se cili do të tregohet më i vrazhdë duke i fyer të tjerët, në radhë të parë shqiptarët. Pse?

Më poshtë do të ketë një përgjigje.

Tash ta shohim ndonjë gjurmë të autorëve serbë që flasin për shqiptarët.

Për t’u çuditur, që nga themelimi i shtetit serb, rrallë herë ka dalë ndonjë intelektual që e ka folur deri diku të vërtetën për shqiptarët. Mbahet në mend Dimitrije Tucoviqi, ndonëse edhe ai nuk u ikën dot mjaft paragjykimeve. Për ndonjë tjetër nuk di, të ketë folur kaq shumë për shqiptarët e që ka të bëjë me të vërtetën. Vetëm ky intelektual që gjatë Luftës së parë botërore ka qenë ushtar serb gjatë të ashtuquajturës tërheqje të ushtrisë okupuese serbe nëpër territorin e Shqipërisë, e ka ngritur zërin kundër egërsisë barbare serbe, kundër masakrave që i ka bërë ushtria serbe kundër shqiptarëve. Vetëm ai e pranon pjesërisht hapësirën tonë etnike si tokë shqiptare, Ja se çfarë thotë pas Marrëveshjes së Shkodrës ku shqiptarët e të gjitha feve dhe rajoneve bien në ujdi për veprim të përbashkët:

“Nga Kongresi ia nisën menjëherë punës dhe gjatë një deri më dy muaj tërë Shqipëria veriore me qytetet kryesore Shkodër, Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë u pastrua nga pushteti turk dhe nga garnizonet ushtarake. Shqipëria kishte një kryengritje të përgjithshme revolucionare”.

Këto fjalë kanë peshë të dyfishtë. E para, se pranohet pjesërisht shtrirja natyrale e Shqipërisë në veri dhe e dyta, pranohet edhe kryengritja e madhe shqiptare kundër Perandorisë otomane. Këtë realitet edhe sot e kësaj dite e mohon historiografia serbe dhe politika e Serbisë së sotme të madhe.

Duhet përmendur edhe një autor: Svetozar Markoviqi, i cili tregon se Beogradi si kryeqytet i Knezhevinës kishte dy gjuhë zyrtare: turqishten dhe serbishte, sepse asokohe ky qytet ka qenë me popullsi të përzier dhe se knezhevina është dashur ta ndaj pushtetin me turqit. Ai e përmend njëfarë Cena Arnautinin nga Beogradi, i cili na qenka “zullumqar”. Edhe këto të dhëna nuk janë të rëndësishme për ne si informacion që vjen nga një kuzhinë ku përgatitej shovinizmi, por janë me peshë dëshmitë e pranisë së shqiptarëve.

Sot është edhe më keq, sot është vështirë të gjendet një serb i vetëm, i cili e thotë ndonjë fjalë të hairit për shqiptarët. Tash në Serbi vazhdimisht satanizohen shqiptarët dhe bëhet propagandë e paparë për Kosovën. Ta përsërisim pyetjen e shtruar më lartë. Pse?

Serbët nuk duan të lejojnë në asnjë mënyrë të harrohet Kosova si koloni serbe dhe nuk mund t’i marrin me mend shqiptarët si popull i lirë. Vazhdimish ëndërrojnë që përsëri ta vendosin thundërn e tyre koloniale në Kosovë. Ata e dinë se vazhdimësia e mbamendjes mund të ruhet më së miri përmes mediave, programeve shkollore, diplomacisë, mitingjeve të ndryshme. Pra përmes propagandës. Kjo është arsyeja që nuk pushojnë me cilësimin e shqiptarëve si të prapambetur, si gjakësorë, si myslimanë. Dhe, në këtë propagandë nuk ndryshojnë për asnjë qime floku nga paraardhësit e tyre nga shek. XIX dhe fillimi i shek. XX.

Fatkeqësisht ia dalin edhe të nxisin urrejtje edhe ta ruajnë kujtesën e formësuar sipas masës së tyre raciste. Dhe, madje edhe të kenë ndikim të fuqishëm te maqedonasit.

Dhe, Maqedonia e sotme nuk çlirohet dot nga shovinizmi proserb dhe antishqiptar. Maqedonia po pëson një serbianizim të paparë të hapësirës kulturore. Thuajse çdo ditë e ke nga një koncert të këngëtarëve serbë këtu, çdo ditë nga një emision muzikor, nga një emision argëtues serb nëpër radiot dhe televizionet maqedonase. Nga disa seriale serbe. Pra një përqindje e mirë e programeve muzikore e argëtuese e radiotelevizioneve maqedonase përbëhet nga programet serbe. Kuptohet kurrë, kurrë nuk tolerohet madje asnjë këngë e vetme shqipe në këto programe, nuk lejohet asnjë dokumentar që flet për shqiptarët, nuk ka asnjë film me tematikë shqiptare.

Natyrisht, këtu është edhe prodhimi vendor i urrejtjes antishqiptare në media, si rezultat i ndikimit serb i cili e ka bekimin e pushtetit. Thuajse të gjitha televizionet e të gjitha mediat tjera proqeveritare vazhdimisht botojnë ndonjë fyerje të rëndë që shkon në adresë të shqiptarëve.

Ç’u duhet gjithë kjo energji ta derdhin kot?

Por edhe neve, ç’na duhet gjithë kjo heshtje e gjithë kjo neglizhencë ndaj fyerjeve? A nuk kemi përfaqësues të mjaftueshëm në pushtet që t’i ngrenë dhe t’i zgjidhin këto çështje, apo do të presim ndonjë Dimitrije Tucoviq të flasë për ne?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button