Përkeqësohet kriza e emigrantëve, Kroacia na i kthen 1000 refugjatë?!

Masuma Amiri është afgane, studente e drejtësisë, e cila bashkë me bashkëshortin e saj, me profesion mjek dhe dy fëmijët e mitur, tanimë për të katërtën ditë janë të bllokuar në kufirin Maqedoni-Serbi në qendrën e pranimit “Tabanoc”. Ajo nuk kupton se për ç‘arsye, autoritetet serbe nuk dëshirojnë t’i lëshojnë ta kalojnë kufirin, sepse, siç thotë ajo, edhe vendi i saj është në luftë, njëjtësi si Siria dhe Iraku, edhe atë, për 30 vite – pandërprerë, njofton TV21.

“Është shumë rëndë. Nuk është njëjtë si në shtëpi. Po udhëtojmë tanimë një muaj. Dëshirojmë të shkojmë në Evropë, sepse në Afganistan fare nuk ka siguri. Kaluam kufij dhe dete, vetëm e vetëm të mbërrijmë në Evropë. Por ja, tani na ndaluan këtu”, tha Masuma Amiri.

Për shkak të situatës së saporkijuar dhe para takimit të avokatëve popullorë nga Mesdheu, sot për vizitë në qendrën “Tabanoc”, ishte Avokati i Popullit i Maqedonisë Ixhet Memeti bashkë me kolegët e tij nga Shqipëria, Spanja dhe Franca. Ai thotë se kushtet në këtë qendër janë përmirësuar, krahasuar me vizitën e tij të fundit, por shtetet akoma duhet të punojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. Konkretisht, Memeti iu kthye shkeljes së konventës ndërkombëtare për refugjatët nga vendet përgjatë shtegut ballkanik.

“Para tre muajve është dhënë rekomandim që refugjatët të mos zbresin nga trenat. Në vend të kësaj, treni duhet të udhëtojë drejtpërdrejtë deri në kufi. Çështja tjetër problematike është me njerëzit me pengesa. Ne, edhe për ta kërkuam që ata në mënyrë të drejtpërdrejtë të shkojnë në Serbi dhe të mos ndalen këtu”, theksoi Memeti.

Goran Stojanovski – udhëheqës i Qendrës për menaxhim me kriza, thotë se është simptomatike fakti që nga Kroacia dhe Serbia, kthehen jo vetëm afganë, por edhe njerëz nga Siria.

“Ajo që unë konsideroj se duhet të ndodhë, nëse marrëveshja ka hyrë në fuqi më 19 shkurt, është se këtyre njerëzve duhet t’u lejohet të vazhdojnë rrugën. Kjo do të ishte më humane. Të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian, ku ata dëshirojnë, dhe kjo masë të respektohet”, tha Stojanovski.

Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve, është rezultat i vendimit të njëanshëm të Austrisë për të vendosur kuota për refugjatët tranzitorë dhe për kërkuesit e azilit.

Në qendrën e pranimit në Tabanoc, në Kumanovë, për momentin ka 617 afganë që nuk mund ta kalojnë kufirin serb. Nga Qendra për menaxhim me kriza, thonë se ka paralajmërime për 1000 të kthyer nga Kroacia dhe Serbia. Por, nga kjo qendër nuk mund të thonë se çdo të bëhet me këta njerëz, në rast se shtetet nuk arrijnë marrëveshje ndërmjet tyre.

Dhe përderisa është në pritje të vendime burokratike të Evropës, Masuma ëndërron për , siç thotë, jetë të thjeshtë me familjen dhe vazhdimin e studimeve të drejtësisë, në vendin e premtuar – Gjermani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button