Maqedoni, rinia që nuk të ngrejë kokën nga celularët
Trendi i zhvillimit të hovshëm teknologjik padyshim që sjell me vete risi të cilat krijojnë varshmëri te njerëzit.
Nëse deri para disa vitesh telefonat celularë përdoreshin vetëm për të komunikuar dhe jo gjithsecili kishte një të tillë, sot, përparimi i teknologjisë ofron shumëllojshmëri opsionesh, programesh dhe aplikacionesh që mund të përdoren nga celulari, transmeton Portalb.mk.
Kjo ka shtuar ndjeshëm numrin e përdoruesve të tyre. Nga studimet e bëra, kontribues më të mëdhenj në numrin enorm të atyre që e kalojnë një pjesë bukur të madhe të kohës në celularë janë adoleshentët dhe të rinjtë të ndjekur pas edhe nga moshat tjera.
Portalb, anketoi disa të rinj, shumica e të cilëve pranojnë se në celularë humbin pjesën më të madhe të kohës.
“Përdorimi i celularëve është bërë pjesë e pandashme e jona. Arsye më shumë janë rrjetet sociale si facebook, viber, instagram. Kjo bën që pjesën më të madhe të kohës ta kalojmë me celularë në dorë”, tha për Portalb Luan Xhemaili.
Ndërsa Shkëlzen Pajaziti, pranon se përdorimi i celularit shpesh është i panevojshëm, transmeton Portalb.mk.
“Aq sa e përdor celularin për gjëra të nevojshme e përdor edhe për gjëra të kota”, thotë Pajaziti.
Dokleata Qamili këtë trend e quan “sëmundje të kohës moderne”. Për të, varshmëria e madhe nga teknologjia është faktori që shumica e të rinjëve po bëhen asocial.
“Shumica e të rinjëve duke u munduar të jenë më të informuar dhe në hap me kohën po shndërrohen në individ të varur pakuptueshëm nga celularët”, thotë Qamili.
Për profesorin e informatikës, Riza Etemi të rinjtë janë duke e shpenzuar kohën e tyre në gjendje deliri. Mes tjerash për Portalb ai tha:
“Të rinjtë janë te varur 100% nga një celular-smartfon. Nga këta vetëm 10% e shfrytëzojnë për punë kurse pjesa tjetër për argëtim”.
Etemi, theksoi se jemi zënë në kurth nga zhvillimi i teknologjisë dhe se humbim gjënë më të vlefshme – kohën, transmeton Portalb.mk.
Përkundër bindjes se celulari ka dhe ndikimin e tij negativ te të rinjtë që humbin shumë kohë duke e shfrytëzuar atë për gjëra të kota, interesimi për telefonat celularë aktualisht është në rritje. /Portalb.mk.