Pse qajmë, na kap lemza dhe pse skuqemi?

Nëse kemi parasysh që njeriu mesatar kalon 25 vjet të jetës duke fjetur dhe e kap lemza mesatarisht 1 243 herë gjatë jetës, a nuk janë këto arsye të mira të mësojmë diçka më shumë rreth tyre?Shumë gjëra dhe dukuri të lidhura me trupin tonë i marrim si të mirëqena.

Disa na argëtojnë, disa na nervozojnë, ndërsa disa as që i vërejmë derisa sa nuk përshkallëzojnë. Megjithatë, nëse marrim parasysh që personi mesatar kalon 25 vjet të jetës duke fjetur, e kap lemza mesatarisht 1.243 gjatë jetës së vet (nuk kemi lidhje se si kanë ardhur deri te kjo e dhënë) dhe rregullisht pastron kanalet e lotit duke qarë (disa nga ne më shpesh se të tjerët), gjithsesi është e vlefshme të dihet diçka për këto dukuri. Ju sjellim më interesantet nga të gjitha.

Qarja

Në mesin e qenieve të shumta që popullojnë planetin tonë, njerëzit janë të vetmit që lëshojnë lot për shkak të arsyeve emocionale, derisa një numër i vogël, si elefantët ose frajerat macho, këtë gjë e bëjnë për të pastruar pluhurin e mbledhur në sy. Njerëzit nuk qajnë vetëm për të përcjellë ndjenjat rreth ndonjë problemi në mjedisin e vet, tashmë shkencëtarët besojnë se si lotët në vete përmbajnë dhe hormone të caktuara të padëshirueshme dhe proteina të tjera që trupi ynë i prodhon gjatë kohës së periudhave stresuese, të cilat në këtë mënyrë dalin nga trupi. Në fund të fundit, edhe ju vetë me siguri të paktën njëherë në jetë keni pasur atë “qarjen e mirë” (shfryrjen), e cila në atë moment ju ka ndihmuar me të vërtetë.

Lemza

Lemza në fakt paraqet ngërçet e pavetëdijshme të diafragmës – membranat muskulore në gjoksin tonë, të cilat kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm te frymëmarrja. Shkaku më i shpeshtë i lemzës është irritimi i diafragmës, kryesisht për shkak të ushqimit të tepërt ose të paktë në stomakun tonë. Ajo çka më së shumti huton shkencëtarët është qëllimi i lemzës, pasi që lemza nuk shërben për asnjë qëllim fiziologjik. Një teori pohon se si lemza është mbetje e refleksit të lashtë të gëlltitjes. Pavarësisht asaj se për çka ka shërbyer dikur, një gjë është sigurt – lemza mund të jetë shumë e lodhshme nëse zgjat shumë, prandaj është e rëndësishme që sa më parë të merrni ndonjë nga ilaçet e shumta shtëpiake dhe ta largoni këtë pengesë.

Gjumi

Njeriu mesatar kalon një të tretën e jetës duke fjetur. Përveç disa përjashtimeve të njohura, shumica e njerëzve nuk munden pa gjumë më shumë se disa ditë. Megjithatë, gjumi është një nga aktivitetet tona për të cilin në anën tjetër dimë dhe kuptojmë fare pak. Shkencëtarët pajtohen për atë që funksioni primar i gjumit është mbajtja e trupit – nga prodhimi i kimikateve të nevojshme për funksionim të mirë në gjendje të zgjuar, e deri te vetorganizimi i neuroneve. Nga të gjitha fazat e gjumit, më e rëndësishmja është e ashtuquajtura faza REM (rapid eye movemement – lëvizja e shpejtë e syve), të cilën e karakterizon aktiviteti i lartë i neuroneve. Shumë teori flasin për rëndësinë e gjumit për kujtesë dhe mësim, respektivisht që pikërisht gjumi është mënyra më e mirë që ndonjë kujtim yni të kalojë nga memoria afatshkurtër në atë afatgjatë.

Vdekja

Shikuar në aspektin teknik, vdekja nuk hyn në kategorinë e aktiviteteve të përditshme, po meqenëse fascinon njerëzit që nga koha e krijimit të botës kemi vendosur të shkruajmë diçka për të. Me kushtin që vdekja nuk ka ndodhur në ndonjë mënyrë të dhunshme ose si pasojë e sëmundjes, ajo çka quajmë “vdekje natyrale” në fakt është pasojë e vdekjes së qelizave. Edhe pse qelizat gjatë jetës vazhdimisht ripërtërihen, kur arrijmë në vitet e pleqërisë kjo gjë bëhet gjithnjë e më shumë e vështirë për to. Në mbaresat e kromozomeve tona gjenden telomeret, të cilat mbajnë informacione gjenetike dhe të cilat shkurtohen me çdo ndarje të asaj qelize. Pas një kohe të caktuar, telomeret thjesht mbesin pa gjatësi për ndarje për ç’arsye qelizat nuk janë më në gjendje që të ndahen. Pikërisht telomeret janë objekt i studimeve intensive të shkencëtarëve në dekadat e fundit, ndërsa shumë konsiderojnë se deri në fund të shekullit jetëgjatësia mund të zgjatet edhe dyfish.

Skuqja

Skuqja në faqe është reaksion universal njerëzor si pasojë e ndonjë vëmendjeje shoqërore. Të gjithë ne skuqemi, por te disa njerëz është më e dukshme se tek të tjerët. Më së shpeshti skuqemi kur njoftojmë dikë të famshëm, marrim kompliment ose përjetojmë emocione të forta në ndonjë situatë shoqërore. Venat në fytyrë zgjerohen, çka mundëson qarkullim më të mirë të gjakut në fytyrë dhe faqe. Megjithatë, shkencëtarët ende nuk e kanë tërësisht të qartë pse ndodh kjo dhe për çka shërben saktë në aspektin biologjik.

Lajme të ngjashme

Back to top button