Votuesit e përjetshëm

Heroi ynë nuk ka bindje të theksuara politike, por ai i adhuron zgjedhjet.

Heroi ynë pret para vendvotimit, prej agut deri në muzg, me shpresë se do t’i realizohet ëndrra.

Heroi ynë pret diçka që askujt s’i shkon ndërmend: dëshiron të takohet me prindërit e tij.

Heroi ynë trajtohet si i çmendur; ka që i thonë: “Prindërit të kanë vdekur qëmoti!”.

Heroi ynë ua kthen: “Por ata janë në listë zgjedhore dhe votojnë!”

***

Rrëfimin e mësipërm mund ta interpretojmë sipas qejfit tonë, madje si barsoletë, por e vërteta i përket heroit tonë…

Këtu kemi votues më shumë se sa kemi banorë ose çdo banor ka të drejtë vote: përfshirë fëmijët dhe ata nën 18 vjeç!

Këtu kemi banorë me të drejtë vote të përjetshme!

Asgjë e ekzagjeruar.

Është njëfarë realiteti magjik, ku irrealiteti është pjesë e realitetit: votojnë të gjallët dhe të vdekurit.

Të vdekurit janë në listat e të gjallëve për dy arsye: sepse “votojnë” dhe ruajnë “balanca demografike”.

***

Ja pse këtu ka shumë adhurim ndaj të vdekurve.

Ja pse ka shumë nekrofilë që i duan të vdekurit më shumë se sa të gjallët.

Nekrofilia është dashuri ndaj vdekjes dhe asaj që s’ka jetë; është pasion shkatërrimtar brenda qenies njerëzore.

Nekrofili synon ta kontrollojë plotësisht viktimën. Nekrofilia, sipas Fromm -it, është pasion për të vënë kontroll mbi vdekjen dhe është e kundërta e biofilisë – prirjes ndaj dashurisë dhe jetës.

Në aspektin politik karakteret nekrofile kanë qëndrime të ashpra dhe ultra konservatore.

***

Nekrofilët tanë i duan varret dhe të vdekurit.

I duan heronjtë e vdekur, sepse nuk i durojnë heronjtë e gjallë.

I përsërisin idetë e vjetra për të manipuluar me të tashmen…

Këtu zgjedhjet fitohen prej të vdekurve dhe fantazmave.

Të vdekurit votojnë, kurse të gjallët bëhen viktima hijesh e të vdekurish.

Këtu të gjallët i nënshtrohen vullnetit të të vdekurve.

Këtu qeniet reale janë viktima fantazmash.

Këtu të vdekurit votojnë me letërnjoftime speciale, që prodhohen në nëntokë.

Këtu të vdekurit, ditën e zgjedhjeve, i braktisin varret dhe strehohen në lista zgjedhore.

Këtu të vdekurit janë votues besnikë të princave tanë.

***

Aty ku “votojnë” të vdekurit, robërohen të gjallët.

Aty ku të gjallët i thërrasin në ndihmë të vdekurit, e tashmja është e rëndë.

Aty ku thirren heronjtë e së kaluarës, mungojnë heronjtë e së tashmes.

Aty ku të gjallët thirren në trimëritë e shkuara, ndodh hipokrizia.

Aty ku gjithkund theksohen simbolet kombëtare, sundojnë keqbërësit.

Aty ku nekrofilia ka triumfuar mbi biofilinë, njeriu që e sheh atë që ndodh në të vërtetë, sikurse heroi ynë, konsiderohet i çmendur…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button