George Bush në fushatë për vëllain, Trump akuza ish-presidentit
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W Bush, i ka dhënë një ndihmesë vëllait të tij Jeb për fushatën e tij në radhët e republikanëve.
Ata zhvilluan një takim me simpatizantët në Karolinën e Jugut, në prag të zgjedhjeve të radhës në rang partiak që pritet të mbahen ditën e Shtunë. Në fjalën e tij, ish-Presidenti tha se vëllai i tij gëzonte aftësitë e duhura për të qënë lideri i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë.
“Presidenca është një punë mjaft serioze, e cila kërkon ide dhe gjykim të mirë. Nuk kam asnjë dyshim se Jeb Bush ka eksperiencën dhe karakterin e duhur për të qenë një President i Madh.”
Ish-Presidenti sulmoi edhe kandidatin tjetër republikan, Donald Trump, i cili në bazë të sondazheve është pretendenti kryesor për të qenë përfaqësuesi i kësaj force politike në garën presidenciale. Bush kritikoi retorikën kontroversiale të miliarderit duke thënë se personi më i fortë nuk është ai që bën më shumë zhurmë se të tjerët.
Por, nuk është dashur shumë kohë përpara se Tru mp të kundërpërgjigjej. Ai e sulmoi ish-Presidentin për luftën e Irakut. Ai tha gjithashtu se edhe tragjedia e 11 shtatorit ndodhi kur vendi drejtohej nga George W Bush.
Ekspertët e sondazheve kanë deklaruar se ndihmesa e vëllait mund të jetë mjaft e vyer në Karolinën e Jugut për Jeb Bush, pasi në këtë shtet ish-presidenti gëzon mbështetje dhe simpati nga radhët e votuesve.