Maqedonia nuk e ka ratifikuar Kartën e KE-së, për gjuhët e pakicave

Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale i Këshillit të Evropës, me qëllim që t’i promovojë gjuhët rajonale apo të pakicave, organizon seminar në Senatin francez në Paris, kushtuar gjendjes së sotme në Evropë në këtë sferë.

Mbrojtja dhe promovimi i gjuhëve rajonale dhe të pakicave është një nga qëllimet kryesore të Këshillit të Evropës, si element përmbajtësor në trashëgiminë kulturore evropiane. Në atë pikëpamje, në vitin 1992 u miratua Karta evropiane për gjuhë rajonale dhe të pakicave, të cilën sot e kanë ratifikuar 25 nga 47 vende-anëtare të organizatës.

Republika e Maqedonisë u obligua me anëtarësimin në Këshillin e Evropës që ta ratifikojë këtë kartë, pasi që e nënshkroi atë më 25 korrik të vitit 1996. Por deri më sot, vendi ynë nuk e ratifikoi Kartën për gjuhë rajonale apo të pakicave, edhe pse praktika në këtë fushë, sipas shumë ekspertëve të huaj tregon se ajo nuk mbetet prapa vendeve të tjera evropiane, përkundrazi, ajo mund të shërbejë edhe si shembull. Mosratifikimi i Kartës është edhe njëra nga vërejtjet dhe obligimet e paplotësuara të vendit tonë të ndërmarra në vitin 1995, kur u bë anëtare e Këshillit të Evropës, vërejtje të cilat paraqiten në raportet e ndryshme monitoruese të kësaj organizate.

 Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Parisi, seminari është mundësi që të bëhet kontroll i gjendjes dhe praktikës në nivel të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Me atë rast, eurodeputeti Franso Alfonsi, i cili si anëtar i grupit të Aleancës së lirë evropiane të Gjelbrit, është bashkëkryetar në PE i ndërgrupit për pakicat tradicionale, bashkësitë dhe gjuhët nacionale e prezantoi raportin e Parlamentit evropian, të miratuar në shtator të këtij viti për “gjuhët evropiane të rrezikuara nga zhdukja dhe  llojllojshmërinë gjuhësore në suaza të Bashkimit Evropian”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button