Dita e Pavarësisë në Kosovë, festë dhe protestë

Këshilli Organizativ për shënimin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot ka publikuar axhendën përfundimtare për shënimin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Manifestimet do të përfshijnë aktivitetet e organizuara nga Presidenca, Qeveria, komunat e Kosovës dhe aktivitetet e përbashkëta të institucioneve nacionale, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sivjet, sipas njoftimit nga Këshilli Organizativ, Dita e Pavarësisë do të shënohet kryesisht me ngjarje kulturore, homazhe dhe organizimin e pritjes për korin diplomatik, si dhe përfaqësuesit e institucioneve qendrore, të atyre shkencore, kulturore, ekonomike, sportive dhe tjera.

Ndërsa, është bërë me dije se me rastin e Ditës së Pavarësisë, nga 15 deri më 17 shkurt 2016, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës, do të organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve nikoqire të ambasadave kosovare.

Sipas programit të manifestimeve në Kosovë, me 15 shkurt, me fillim nga ora 10, do të mbahet ceremonia e dhënies së çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nga ora 11, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Amerikane të Kosovës dhe Odën Gjermano Kosovare, do të organizoj panairin e punës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Po ashtu të hënën më 15 shkurt, me fillim nga ora 13:00, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga do të dekorojë me medalje personalitetet e shquara.

Në mbrëmje, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovësdo të shfaqet pjesa teatrale “Zemra e Huaj” nga Teatri i Sarajevës dhe me regji të regjisorit të njohur boshnjak, Dino Mustafiq.

Në këtë shfaqje ndër tjerë luajnë edhe aktorët shqiptarë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Armend Smajli. Përndryshe, kjo shfaqje është pjesë e Iniciativës për Bisedime të Hapura të organizuara nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondi për Shoqëri të Hapur i Bosnje e Hercegovinës, me qëllim të liberalizimit të vizave në mes të Kosovës dhe BeH-së.

Më 16 shkurt 2016, me fillim nga ora 19:00, presidentja dhe kryeministri i Kosovës organizojnë pritje për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës. Me këtë rast do të mbahet edhe koncerti festiv i Filarmonisë së Kosovës. Kjo ngjarje zhvillohet në Hotelin Emerald.

Ditën e Pavarësisë, më 17 shkurt 2016, manifestimi do të fillojë në ora 10, me parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në qendër të Prishtinës, për të vazhduar me homazhe para varrit të Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, në ora 11.

Në orën 12, do të bëhen homazhe në para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz, njëkohësisht kur në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe “Ibrahim Rugova” do të defilojë Ansambli SHOTA.

Po këtë ditë, në të gjitha komunat, me fillim nga ora 9, do të bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës, ndërsa autoritetet komunale do të bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve.

Nga ana tjetër, përderisa institucionet qendrore dhe ato lokale planifikojnë organizimin dhe manifestimet e ndryshme, opozita e bashkuar kosovare: Vetëvendosja, AAK dhe Nisma kanë ftuar qytetarët e Kosovës të dalin në protestë mbarëpopullore kundër dy marrëveshjeve: me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe me Malin e Zi, për Demarkacionin e Kufirit, si dhe për largimin e Qeverisë aktuale të cilën e mbajnë përgjegjëse për krizën aktuale politike dhe sociale në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button