Strategjia kundër korrupsionit, Rama: Në Shqipëri korrupsioni është në çdo qelizë

Ministri për Çështjet Lokale, Bledar Çuçi, dhe UNDP me anë të një konference në ambientet e hotel “Sheraton”, kanë prezantuar draftin e parë të strategjisë kombëtare kundër korrupsionit.

Në konferencën, ishin të pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi dhe kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar strategjinë kombëtare kundër korrupsionit, ku u shpreh se shpreson që kjo strategji të jetë e fundit. Rama shtoi se koha do të vendosë nëse kjo strategji do të jetë e duhura ose jo.

“Është bërë si një ritual që përsëritet që duhet të luftojmë korrupsionin por ai është shumë i shpejtë dhe shumë më efikas se institucionet. Është pozitive që në këtë ditë kemi gati një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Çdo qeveri e ka pasur një strategji të tillë dhe unë uroj që kjo të jetë e fundit dhe më fitimtarja. Ne jemi në fund të tabelës europiane në tabelën për korrupsion dhe sot  në vigjilje të marrjes së statusit kandidat, kjo trashëgimi e hidhur nuk ndihmon për të zmbrapsur skepticizmin e disa vendeve anëtare. Qeveria mund të kritikohet për shumë gjëra or nuk mund të kritikohet për sa ka folur për korrupsionin. Qeveria e kaluar ka qenë qeveria që e ka lejuar korrupsionin më shumë se çdo qeveri tjetër”, u shpreh Rama.

“Nëse ka diçka që e dallon qartë korrupsionin në Shqipëri është fakti që, në Shqipëri korrupsioni është në çdo qelizë të organizmit të shtetit. Jo pak raste tregojnë se shembujt janë të pamjaftueshëm dhe bëjnë transferimin e pushtetit të korrupsionit. Sot ne vazhdojmë të vuajmë pasoja të rënda nga korrupsioni për shkak se në vite kemi gabuar në reformat strukturore. Strukturalisht Shqipëria është reformuar pak dhe është deformuar shumë. Reformat strukturore ndihmojnë më shumë se sa shembujt e ndryshimit të mendësisë”, u theksoi kryeministri.

Sequi: Së bashku për të dënuar korrupsionin

Ndërsa ambasadori i BE-së u shpreh se të gjithë se bashku të mblidhen për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.  “Asnjë ditë nuk mund të jetë më e mirë për të diskutuar për korrupsionin se sa Dita Ndërkombëtare e luftës Kundër Korrupsionit. Të gjithë mblidhemi së bashku për të dënuar korrupsionin si një dëm për të gjithë shoqërinë. Korrupsioni është sëmundje që dëmton institucionet. Niveli i qartësisë së politikave ndikon drejtpërdrejti tek ata që do e zbatojnë. Lufta kundër korrupsionit është investim për të ardhmen dhe lufta kundër tij nuk është aspak e lehtë”, u shpreh Sequi.

Minstri Çuçi tha se, dokumenti i strategjisë do të jetë i shkurtër por dinjitoz. “Ai do të bëj të mundur që lufta kundër korrupsionit të jetë e matshme. Procesi i hartimit të strategjisë do të jetë i hapur, institucionet do përfaqësohen do të japin mendimet e tyre”, u shpreh Çuçi.

Nënkryetari i Prezencës së OSBE-së Robert Wilton kërkoi që ky draft të jetë realist dhe i zbatueshëm.

“Korrupsioni nuk është një gjë që po vjen me aeroplan në Rinas, ai gjendet këtu.  Nevojiten urgjentisht masa konkretet për t’i dhënë fund këtij fenomeni, qytetarët duhet të dinë që po luftohet korrupsioni. Shërbimi në arsim dhe shëndetësi janë mjaft të dëmtuara nga korrupsioni”,- nënvizoi Wilton.

“Qeveria nuk mund ta luftojë korrupsionin e vetëm, por shoqëria civile, media biznesi ta mbështesin duke kontribuar në hartimin e strategjisë antikorrupsion dhe në zbatimin e ligjeve dhe raportimin e praktikave të korrupsionit”./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button