Car Dushani, BDI-në llom e bani!

Pasi është ende e freskët dhe vazhdojnë ndodhitë në lidhje me vendosjen dhe tentimin për zhvendosje të përmendores së Car Dushan-it, një udhëheqës serb i mesjetës, në Shkup, në kuadër të projektit famëkeq “Skopje 2014”, nuk kemi mundësi që prej tani të përfshijmë gjithë peripecitë dhe problemet në lidhje me këtë akt që u perceptua si provokues për shumë qytetarë të Maqedonisë, e në veçanti për ata shqiptarë. 

Kjo pasi në fillim kundërvimi për këtë statujë ishte më i përgjithshëm dhe vendosja e tij u kundërshtua nga shumë qytetarë që edhe politikisht e artikuluan këtë nëpërmjet dy tre partive politike maqedonase, në krye edhe me partinë më të madhe opozitare LSDM. Që më pastaj duke u udhëhequr kundërvimi vetëm nga shqiptarë, maqedonasit, bullgarët dhe qytetarët e tjerë preferuan të heshtin ose të trajtojnë vetëm disa aspekte tjera të këtij provokimi, që më së miri u vërejt në qëndrim tërheqjen, të cilin më pastaj, për së dyti, e bëri LSDM-ja.

Kjo përmendore, nga e cila u distancua bile edhe Ministresha e Kulturës, një nga ekzekutorët më të denjë  të këtij projekti, është pjesë dhe e vendosur në një urë në qendër të Shkupit, ku janë të vendosura edhe shumë figura tjera mesjetare. Njoftimi se aty është edhe ajo e Dushan-it, të cilin memoria kolektive e maqedonasve, bullgarëve dhe shqiptarëve nuk e mban mend për asgjë të mirë, erdhi vetëm nëpërmjet disa medieve të Serbisë, ku një parti e serbëve të Maqedonisë, pjesë e pushtetit, më pas, kishte zgjedhur të lavdërohet se është venduar edhe kjo përmendore.

Por, në gjithë kundërvimin që bënë dhe bëjnë shqiptarët (pasi ende vazhdon duke patë sot, e diel, një episod nga një qytetarë, i cili, vet dhe me flamur shqiptarë në dorë, kishte dalë të rrënojë këtë bust), pati edhe lajmërim dhe mbajtje e një proteste qytetare për mbulim me pëlhurë turpi. Që ashtu të dalë disi në pah se kush e ka vendosur bustin.
Kjo protestë, ndonëse mbajtja e saj u pengua nga policia, ia arriti qëllimin e vet duke shfaqur se qeveria e mbron këtë bust edhe nga një pëlhurë. Por, efektin më të madh kjo protestë e pati ngase që paralajmërimi i saj e nxori një delegacion, prej disa anëtarëve të partisë shqiptare në pushtet, të dalin natën dhe të tentojnë të heqin bustin prej vendit ku është vendosur. 

Ende nuk dihet përbërja e plotë e delegacionit, për të cilin tani policia lajmëroi se e kërkon, por një gjë dihet me siguri se në atë delegacion përveç politikanë ka patë edhe druvarë, që ndoshta kanë menduar se bronzi është diçka si dru, e mundet me sëpatë të dëmtohet?!

Por, me këtë tentativë të pasuksesshme për heqje të bustit kopil, të cilit askush nuk i qëndroi pas, BDI-ja harxhoi një shans për tu treguar si dikush që vepron dhe vetëm se i doli në pah frika e madhe nga çdo artikulim politik i qytetarëve nëpërmjet protestave. Frikë kjo që iu është ngulitur pas disa protestave të mëdha që u bënë në Shkup, vjet dhe sivjet, e që më së miri dëshmuan mos përfaqësimin politik që kanë shqiptarët në këtë vend dhe sidomos ata të Shkupit. Gjë që është vërejtur si e domosdoshme nga qarqe dhe aktivistë partiakë të oponentëve të tyre PDSH, të cilët, dita-ditës, më shumë e më shumë kërkojnë organizim të protestave nga partia e tyre.

Bile, kjo tentativë dështoi pas një orvatje paraprake që edhe për këtë bust ti hidhet faji periudhës së jolegjitimitetit të cilin e bëri PDSH-ja në vitet 2006-2008, kur u bë pjesë e qeverisë, pa qenë parti e votuar më së shumti nga shqiptarët.

Dështimi i BDI-së në këtë rast mund të duket si i trefishtë pasi ky bust vendohet pasi kjo parti, vite më parë, deshi të legalizon gjithë projektin famëkeq vetëm me një iniciativë për vendosje edhe të tre-katër busteve shqiptare në të. Pa mbrojtur vendin e shtëpisë së”Nënës Terezë” dhe pa rindërtimin e Xhamisë “Burmali” në zemrën e të njëjtit shesh, ku u realizua gjithë ky projekt me miliona euro para publike. Bile bustet e figurave shqiptare të kontraktuara nga BDI, ndonëse moti janë të realizuara, asnjëherë s’u venduan në cepat e sheshit, për ku ishin të paraparë. Ndonëse deri më tani ishin vendosur me dhjetëra buste tjera në vlerë prej milionave eurosh.

Dëmi dhe dështimi politik i BDI-së, ka edhe konkretizimin e tij në një përfaqësues të lartë nga kjo parti, Musa Xhaferi. Kjo pasi i njëjti politikan, në një intervistë, vetëm pak muaj më parë, tentoi të zbut kundërvënien shqiptare për këtë projekt përçudnues të qeverisë në Shkup duke u fokusuar në atë se ai është me karakter provokues më shumë për grekët, e jo për qytetarët shqiptarë. I njëjti funksionar tani, vite me radhë, drejton sekretariatin për Marrëveshjen e Ohrit, në kuadër të cilës i bie të merret edhe me të drejtat kulturore dhe etnike edhe të serbëve të Maqedonisë, nëse ata do dëshirojnë ti dalin krah statujës së pambrojtur të Car Dushan-it, si një e drejtë e tyre kulturore. Se mu në këtë politikan konkretizohet dëmi nga Dushani, flet edhe fakti që i njëjti njihet si “truri” i kësaj partie dhe shumica e “delegacionit të druvarëve të natës” janë nën udhëheqjen politike dhe çirakë të tij.

Mbetet të ndiqet ecuria e qëndrimit ilegal të Car Dushanit në Shkup, por është e qartë se deri më tani ai i bëri shumë dëm partisë politike në pushtet, të cilës pas kësaj do i mbetet ose të tërheq tërësisht mbështetjen politike që i bëri “Skopje 2014” ose të heq prej vete emrin ku u konkretizua ky dëm ose të braktisë druvarllëkun dhe të bëjë punën të cilën e pretendojnë, që ashtu me përfaqësim të përmirësuar politik të artikulojnë edhe këtë kundërvim të qytetarëve dhe të heqin këtë dhe shumë buste dhe çështje tjera të paligjshme që bëhen në këtë shtet. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button