Vrasja e vajzës shqiptare në Angli, babai: Dëgjoi bisedën e fshehtë të të shoqit

I pushtuar nga dhimbja dhe në kërkim të drejtësisë, Halil Demiraj, babai i Elidonës, vajzës 25- vjeçare nga Tropoja e cila një javë më parë u vra me thikë nga i shoqi i saj, në Angli, tregon atë që di. Në një postim të gjatë në profilin e tij në Facebook, ai tregon çfarë dinte para ngjarjes së rëndë të ndodhur në periferi të Londrës në Islington, ku i dyshuari Lulzim Qeleposhi, i njohur në Angli si Arben Rexha, u arrestua nga policia pas krimit.

Postimi i plotë i Halil Demiraj

Ja çfarë di unë si prind për Elidonën në tre muajt e martesës; Menduam se ishte e lumtur, komunikonim çdo ditë me të dy, me numrin e Elidonës dhe Lulzimit. Nuk i mungonte buzëqeshja e zakonshme vetëm se u zbeh pak në 2-3 ditët e fundit. Lulzimi i quajtur Arben ishte në punë 5 ditët e javës dhe Elidona në shtëpi. Ditët e fundit sipas tyre do rregullonin apo riparonin sistemin e ngrohjes me gaz në shtëpi. Pastaj na doli se shtëpia qenka dhënë me qera të paligjshme “në të zezë”.

Sipas Lulzimit (Arbenit) duhej ta lironin e për këtë qëllim atë dite kanë pasur një vizitë në shtëpi nga tre veta nga të cilët njëri prezantohet si punonjës policie, gjithnjë sipas Lulzimit. Elidona rastësisht hyn nga dhoma tjetër dhe dëgjon bisedën gjë e cila nuk i pëlqen Lulzimit (Arbenit)…????? Pikërisht këtë ditë më 28 janar Lulzimi (Arbeni) nuk shkon në punë. Mbasdite më telefonon e më thotë: “Unë dhe Elidona do ndahemi. Arsyeja: Më ka ofenduar 2-3 herë dhe asgjë tjetër.
Elidona thoshte: Nuk e di çfarë e gjeti sot.. e habitur nga ky vendim…po qante. Lulzimi thotë: Deri nesër në orën 08.00 të mëngjesit është këtu pastaj të shkojë ku të dojë. Telefonova mikun tim të shtëpisë Blerimin i cili merr me vete edhe shoqen e Elidonës, Olivertën, dhe i themi: Na merr vajzen urgjent. Blerimi e Oliverta habiten me këtë vendim të pa shkak, megjithatë marrin Elidonën dhe largohen. Të nesërmen bashkëshorti mashtrues, mizor e i pabesë bie në gjunjë “i penduar” për tu pajtuar me Elidonën dhe ja arrin qëllimit. Me gjithë ndërhyrjen tonë që të mos shkojë kurrë në shtëpinë e Lulzimit (Arbenit), Elidona nga presioni, pajtimi apo mashtrimi, i bindet dhe shkon te Lulzimi (Arbeni) në datë 29 janar.

Të nesërmen Lulzimi (Arbeni) “sëmuret” dhe Elidona e çon në spital, data 30 janar… E shohim duke qarë pranë të “sëmurit” Elidonën dhe datë 31 janar kanë përgatitur plaçkat për të ndërruar shtëpinë. Gjoja të nesërmen sipas kontratës që mund të ishte lidhur atë natë me personat që vizituan shtëpinë.

Në mbrëmje kemi komunikuar me të dy të cilët dukeshin jo vetëm të pajtuar për zënkën e të enjtes por edhe të “lumtur”… ishte presion apo pajtim??? Këtë se kuptuam. Elidona mbante bluzë me krahë të gjatë dhe një shallë të madh në qafë. Tani mendojmë se përse Lulzimi (Arbeni), kur mori Elidonën për në Angli, i kishte thënë Elidonës ‘mos merr unazën, as orën dhe varëset e qafës që ja kishte dhuruar në fejesë’.

O Zot, këtë e dëgjova me vonesë nga familja. Të hënën duke menduar se po ndërrojnë shtëpi, nuk i telefonuam deri nga ora 10.00. Pastaj gjithë ditën telefonat nuk u hapen më, deri në darkë që morëm vesh vdekjen e Elidonës. Jam në ankth dhe në pritje të zbardhjes së kësaj tragjedie nga drejtësia britanike dhe presim me padurim të na vijë sa më parë pranë familjes trupi i pajetë i Elidonës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button