Shkup, misteri i përmendoreve do të vazhdojë (VIDEO)

Askush nuk di të tregojë se sa është numri i përmendoreve të parapara për projektin kontraverz ‘Shkupi 2014’. Heshtin nga Ministria e Kulturës derisa përmendoret “mbijnë” dita ditës.

Portalb nga Komuna Qendër kërkoi listën e plotë me përmendoret e vendosura deri tani, dhe listen e përmendoreve që pritet të vendosen gjatë vitit të ardshëm që do të finalizonin projektin ‘Shkupi 2014’, por ata nuk e dinë.

‘Në Komunën Qendër nuk posedojmë listë me emrat e përmendoreve që janë vendosur dhe që kanë ngelur pa u vendosur, e që duhet të vendosen gjatë vitit tjetër. Sa u përket përmendoreve shqiptare e dimë se ata evidentojnë në listë. Por, janë rreth 15 përmendore të cilat edhe pse nuk kanë qenë të evidentuara, janë vendosur. Ju e dini se ne tani kemi filluar me qeverisjen e komunës, dhe këtë projekt e ka nisur garniture paraprake me Qeverinë. Me këtë avaz që punojnë mund të presim dhe tjera’ tha Katerina Canevska nga sektori për marrëdhënie me opinion në Komunën Qendër.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, vazhdon të fajësojë partinë e Menduh Thaçit, PDSH për këtë projekt që deri tani dukshëm nuk ka fuqi ta ndalojë, madje as ta “shqipëzojë” me përmendore shqiptare.

Kohë më parë, të pyetur nga Portalb se kur do të vendosen përmendoret shqiptare të Pjetër Bogdanit, Josif Bagerit dhe Nexhat Agollit, na thanë se kjo do të ndodh vitin tjetër.

Ndryshe, pa asnjë paralajmërim dhe duke mos marrë askush përgjegjsi për inagurimin e tij, kohë më parë në Shkup u vendos përmendorja e carit serb, car Dushanit.
Gjë që shkaktoi revoltë tek shumë shqiptarë, të cilët edhe tentuan ta rëzojnë atë.

‘Shkupi 2014’ për herë të parë iu plasua popullatës nëpërmjet një video në vitin 2010.

Në shumë anketa pjesa dërmuese e ka kundërshtuar realizimin e tij, por Qeveria asnjëherë nuk ka marrë parasysh qëndrimin e tyre, ka vazhduar duke harxhuar milionat e tyre në mënyrë të paligjshme për të shndëruar Shkupin në një qytet që siç e kanë quajtur edhe arkitektet dhe media botërore: qytet kiçi, bizar, falco dhe të kopjuar si dhe Disneyland. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button