Rama nis fushatën elektorale, përmend arritjet e Qeverisë por “harron” LSI-në

Edi Rama ka nisur këto ditë një fushatë në rrethe për anëtarësime të reja në PS. Më shumë se një fushatë partie, ajo është një fushatë e mirëfilltë elektorale. Do të kemi zgjedhje të parakohshme? Apo Rama ka nisur herët fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 2017?

Ne po ju sjellim pjesë të fjalimit të tij sot në Durrës, ku Rama përmend arritjet e Qeverisë në 2.5 vite qeverisje, por në asnjë rast nuk përmend partinë në bashkëqeverisje, LSI-ne. Ta ketë harruar vallë Rama se u bë kryeministër edhe me votat e Metës. Të ketë harruar se një sërë sektorësh në vend drejtohen prej LSI-së?

Rama në Durrës për biznesin:

“Partia Socialiste, sot është me gojën plot, kur troket në derën e një biznesi të vogël ku ka një familje të vetëpunësuar, sepse mund t’i thotë se pas shumë vitesh, taksa jote është zero dhe taksa jote u bë zero, sepse është Partia Socialiste e Shqipërisë që qeveris vendin. Prandaj eja edhe ti në Partinë Socialiste të Shqipërisë, pasi ka ende shumë për të bërë, natyrisht, sepse po të mos kishte, do të shkonim të gjithë në shtëpi”.

Rama në Durrës për shëndetësinë:

“Sot, Partia Socialiste e ka gojën plot për të shkuar tek çdo shqiptar dhe në çdo familje, për të thënë ne jemi votuar për të bërë shëndetësinë falas. Shëndetësia falas nuk është një fjalë goje. Shëndetësia falas është arsye e plotë për të kujtuar shprehjen “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, por ama sot, vetëm në dy vjet e gjysmë, shqiptarët mund të bëjnë analizat falas dhe shqiptarët e kanë mjekun e familjes falas. Të dyja këto, deri dje bëheshin me pagesë. Natyrisht do të shkojmë edhe tek spitali falas, por gjërat bëhen hap pas hapi dhe vit pas viti”.

 

Rama për policinë:

Shikoni Policinë e Shtetit. Sot është koha për t’u kujtuar të gjithëve se dy vjet e gjysmë më parë, kur ne shkonim në fushatë, kryefjala ishte krimi, kryefjalë ishte “na mori frymën krimi, kriminelët dhe hajdutët”. Sot, kjo është kryefjalë në të përditshmen e atyre që deri dy vjet e gjysmë më parë ishin në pushtet dhe që ne gabimisht u themi opozita. Ata nuk janë opozita, por janë qeveria e vjetër, e cila ende nuk e ka kuptuar se shqiptarët duan më shumë, patjetër, duan që gjërat të bëhen edhe më mirë, patjetër, por shqiptarët nuk duan kurrën e kurrës që të kthehen tek qeveria e vjetër.

Sigurisht që ndodhin krime. Po ku nuk ndodhim krime? Përpara pak javësh, natën e Vitit të Ri, në vendin më të sigurt të Europës, në sheshin e njërit prej qyteteve më të mëdha të atij vendi u deklaruan mbi 60 vajza dhe gra të përdhunuara. Për të mos folur për plot e plot raste të tjera. Është gjëja më e lehtë, por edhe gjëja më e turpshme dhe më mendjelehtë, që pas çdo krimi që ndodh, të çohesh e të baltosësh Policinë e Shtetit. Njerëzit nuk janë aq mendjelehtë sa, për fat të keq, politika i ka kujtuar gjithë këto vite. Njerëzit dinë shumë mirë ta bëjnë dallimin, prandaj sot, Policia e Shtetit është shëmbëlltyra e besimit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Rama: Shqiperia ishte e kercenuar nga kolapsi

Kjo është partia që ka dyfishuar ndihëm ekonomike. A është ndihma ekonomike sot, mjaftueshëm për të thënë më mirë që jam i varfër, se do isha më keq, po të isha i pasur? Absolutisht jo! Është ende shumë pak, por ama është dyfishi, brenda vetëm dy vjetësh e gjysmë dhe mbasi ne nuk e morëm qeverinë në kushte normale, por në kushtet kur Shqipëria ishte e kërcënuar nga kolapsi ekonomik, për shkak të energjisë dhe për shkak të borxheve. Kemi shlyer qindra miliona dollarë borxhe, një më një. I kemi shlyer ato borxhe jo për t’i kthyer lekët të pasurve, por për të ndërtuar shtetin, i cili nuk mundet t’i thotë vetes shtet, në qoftë se nuk i quan borxhet të tjerëve.

Rama per qeverine e vjeter PD-LSI

Atëherë, pse duhet që Partia Socialiste të rritet, pse duhet që Partia Socialiste të zgjerohet, pse na duhen edhe më shumë njerëz? Për një arsye shumë të thjeshtë, miqtë e mi; Sepse beteja jonë, ju e shihni, është shumë e vështirë. Ne nuk e kemi betejën tonë, të vështirë, vetëm sepse po përballemi me plagë të tmerrshme, me plagë të gangrenizuar me vite të tëra për shkak të mungesës së reformave, të korrupsionit dhe pisllëkut që është mbledhur në çdo cep të organizmit të shtetit tonë, por sepse në këtë betejë, ne kemi kundërshtarë të gjithë ata që u mësuan të përfitojnë nga sëmundja e këtij vendi. Ne kemi kundërshtarë të gjithë ata që thonë “duhet shteti, por jo për mua”, “duhet ligji, por jo për mua”, “duhet barazia para ligjit, por jo për mua.” Dhe ata nuk janë vetëm qeveria e vjetër, por janë të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë përfituar duke bërë flirt me abuzimin.

Opinion.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button