Operacion Shqipëri-Mali i Zi-Itali, sekuestrohet rreth gjysmë ton drogë

Policia Shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe malazeze, kanë realizuar një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit të lëndëve narkotike përmes detit, ku janë sekuestruar rreth 500 kilogramë marijuanë, transmeton Anadolu Agency (AA).Detajet e operacionit në fjalë janë bërë të ditura sot nga drejtori i Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin në Policinë Shqiptare, Genc Merepeza. Sipas tij gjatë operacionit të përbashkët u sekuestrua sasia e drogës, ndërsa personat që dyshohet se kanë trafikuar lëndën narkotike arritën t’i shpëtonin ndjekjes së policive të përfshirë në aksion.

Policia Shqiptare është njoftuar nga Guardia di Finanza se nga një mjet ajror ka identifikuar një gomone rreth 50-60 milje larg Barit, ndërsa më pas autoritetet shqiptare kanë angazhuar në det 8 mjete lundruese për patrullim.

Merepeza ka deklaruar se Policia Shqiptare vijoi kontrollin e hapësirës ujore duke koordinuar operacionin me Policinë Kufitare Malazeze, e cila angazhoi 2 mjete detare.

“Mjeti i dyshuar tip gomone që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të vendit tonë u ndoq nga mjetet e Guardia di Finanza nga deti dhe nga ajri. Gjatë ndjekjes, shërbimet shqiptare me anë të radarit konstatuan se gomonia mori kursin në drejtim të ujërave ndërkombëtare përballë ujerave territoriale të Malit të Zi. Për t’u lehtësuar nga pesha dhe ecur më shpejt, trafikantët hodhën në det drogën, rreth 500 kilogramë, e cila u sekuestrua nga autoritetet italiane në ujërat ndërkombëtare”- deklaroi Merepeza gjatë konferencës për mediat.

Ndërkohë policia ka deklaruar se po vijojnë hetimet për zbulimin e autorëve të implikuar në këtë trafik ndërkombëtar droge.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button