Televizioni gjerman ZDF me reportazh për Kombëtaren

Kombëtarja shqiptare ka bërë të gjithë kontinentin evropian të flasë për të dhe kjo falë kualifikimit historik për në fazën finale të Evropianit të Francës.

Shumë artikuj janë shkruar për skuadrën kuqezi, të cilave iu bashkohet edhe një reportazh nga televizioni i njohur gjerman ZDF.

Reportazhi është xhiruar në fillim të këtij viti, kur Tirana u përkufizua si një qytet shumë i zhurmshëm. Minutat e para të këtij reportazhi tregojnë festën e kombëtares dhe të gjithë tifozëve pas fitores 3-0 me Armeninë, që na dha përfundimisht të drejtën për të qenë mes 24 skuadrave më të mira të “Euro 2016”.

Nuk mund të mungonin në këtë reportazh intervistat e protagonistëve kuqezi si Shkëlzen Gashi, Mërgim Mavraj apo Lorik Cana.

Kanë shprehur opinionet dhe perceptimet e tyre edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e sidomos Altin Lala, me këtë të fundit që vuri në dukje formimin e futbollistëve shqiptarë në kampionate të tillë si ai gjerman, zviceran dhe italian.

ZDF thekson se pavarësisht se Shqipëria kualifikohet për herë të parë në fazën finale të një Evropiani, ajo gjithnjë ka ditur të rezervojë surpriza. Dhe shembulli më i mirë për këtë ishte ndeshja e vitit 1967, kur Kombëtarja jonë barazoi 0-0 me Gjermaninë Perëndimore, që i kushtoi shumë kësaj të fundit, pasi mbeti jashtë Kampionatit Evropian të vitit 1968.

Televizioni gjerman ZDF përmendi në reportazhin e tij edhe betejën futbollistike të familjes Xhaka, ku Taulanti dhe Graniti do të vihen përballë njërit-tjetrit pikërisht në ndeshjen e 11 qershorit, në sfidën e vlefshme për Grupin A të Euro 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button