Kadareja, ky gjeni i vështirë

Shkrimtarin në Ballkan nuk e lënë të qetë në kullën e tij të fildishtë. Kërkojnë nga ai që të jetë pjesëmarrës në zhvillimet shoqërore. Në regjimet diktatoriale ky veçim është herezi. Autoritetet politike kërkojnë nga shkrimtari jo të heshtë, por të flasë me zërin e autoriteteve dhe jo me zërin e muzës së tij. Kërkojnë që zemra e veprës së tij të punojë me ritmin e dogmës ideologjike dhe jo me ritmin e ligjësive të artit. Refuzimi i urdhrit është sikur t’ia kthesh shpinën mbretit gjakësor, që nuk pranon asnjë kundërshtim.

Shkrimtari ka dy mundësi: të martirizohet për një gjest ose të hyjë në lojën që i mundëson mbijetesën dhe krijimtarinë. Pra, të krijojë mundësinë për t’i bërë trille sistemit shtetëror. Të mos e godas bishën menjëherë, madje ta miklojë ndonjëherë. Pasi ka pak gjasa që ta vrasë, së paku, ku(r) mundet, t’u japë sinjale njerëzve se jeta e tyre është e trishtë dhe liria e tyre është ndryshe nga çfarë e pandehin. Kështu bëhet më shumë se sa shkrimtar. Është shkrimtar sepse shkruan bukur, për lexuesin e sotëm e të nesërm, por është dhe njëfarë ruajtësi i zjarrit të dyshimit dhe të lirisë; i dyshimit që s’e duron mendja totalitare dhe i lirisë që s’ka pamje demoniake.

Ky ishte fati apo mallkimi i shkrimtarit në sistemet e egra diktatoriale dhe i Ismail Kadaresë, i cili, sikurse thotë, krijoi letërsi normale aty ku mungojnë lojërat e lirisë. E shfrytëzoi mitin, e ripërmasoi.  E shfrytëzoi historinë, nga e cila huazoi aq sa i duhej, e universalizoi dhe krijoi vepër letrare që ndërlidhet me aktualen dhe e ka shtresën e gjithëkohëshme…

Popujt e vegjël kërkojnë nga shkrimtari më shumë se sa një vepër letrare, kërkesa që shpesh lindin keqkuptime. Të lënë shpesh jashtë vëmendjes ose interesave të të mëdhenjve, kërkojnë mënyrë afirmimi të vlerës së tyre për ta dëshmuar praninë në këtë botë të komplikuar kombesh. Ky afirmim mund të bëhet nëpërmjet artit dhe mund ta bëjnë shkrimtarët, por prej tyre kërkohet që këtë ta bëjnë jo vetëm nëpërmjet letërsisë. Nga shkrimtari kërkohet që të bëhet misionar. Shkrimtari nuk është misionar. Nëse ka mision jashtë letërsisë kjo nuk i ndihmon veprës së tij letrare. Nëse ka refuzuar ndonjë mision as kjo nuk ia dëmton veprën letrare, e cila harrohet ose mbetet varësisht nga vlera estetike.

Shkrimtari vazhdon që të goditet kur flet për probleme jashtë letrare edhe në kushte kur nuk mungojnë lojërat e lirisë.  Ai ndërhyn me fuqinë mendore në botën e komplikuar të autoriteteve politike, të cilët, për interesa të mëdha që prodhojnë konflikte të mëdha, nuk arrijnë që të shohin përtej mendjengushtësisë së tyre.

Kadareja si Kasandër mitike, tash e sa dekada, ka kapur sinjalet e dridhjeve gjithëbotërore, në fillim të papërfillshme, e më vonë të fuqishme.

Si ka mundur t’i ketë parandier tronditjet në përmasa bote?

Ai është romancier që e njeh historinë. Njëri prej orlëve, siç i quante Markesi shkrimtarët, që ushqehen me kërmat e shoqërisë që dekompozohet. E njeh shpirtin e kombit, me vese e virtyte. Njeh shpirtin e kombeve të tjerë. Njeh pretendimet e qytetërimeve të ndryshme. Ka intuitën e shkrimtarit. Kështu arrin t’i lexojë kumtet që parathonë atë që do të ndodh…

Kadareja nuk është profet. Është vetëm shkrimtar. Një shkrimtar i madh i një kombi të vogël. Njohës brilant i ADN së kombit. Shkrimtar i një kontinenti si Europa. Nga më të mëdhenjtë e epokës. Një europian që e njeh europianizmën në burim, nga disa emra që shumë europianë as e kanë marrë mundimin që t’i lexojnë: nga njëfarë Aristoteli apo njëfarë Platoni; nga njëfarë aedi i verbër, Homer, autor i kontestuar i njëfarë Iliade e njëfare Odiseje, ku shpërfaqen imazhe të një bote të egër e të fisme njëkohësisht, të ngjashme me botën e egër dhe të fisme shqiptare; një botë krenare, e sertë, e çartur, epike, mitike, magjike, e bukur dhe e çmendur, por edhe e poetike. Pastaj nga njëfarë Eskili dhe nga njëfarë vepre e tij Orestia, e cila, çuditërisht, ka shumë pikëtakime me njëfarë Kanuni të njëfarë Lekë Dukagjini, një vepër ku njëfarë Oresti është i ngjashëm me njëfarë Hamleti, e ky i ngjashëm me ca hamletoidë të tjerë që quheshin gjakës. Pastaj njëfarë Prometheu zjarrësjellës e i mbërthyer për shkak të ca konflikteve me njëfarë Zeus fuqiepri, e do farë persianë që humbin betejën për jetë a vdekje në njëfarë Maratone. Ose nga njëfarë Sofokliu apo nga njëfarë Euripidi. E më pas nga njëfarë Shekspiri, që ndjell do fantazma të frikshme, sajon histori të trishta, të egra, gatuar me brumin e pabesive, të pasioneve dhe krimeve për pushtet; me disa ëndrra të trishta, makthe gjumëvrarëse, thika që ngulen pabesisht, dashuri të çmendura që përfundojnë në tragjedi, ndërgjegje të lënduara që çojnë në çmendi, me do farë Makbethësh e Rikardash gjumëvrarë. Ose nga njëfarë Servantesi, autor i njëfarë Don Kishoti, kalorës i krisur, i vrarë nga leximi i ca romaneve kalorësiake, i cili, ndonëse i fisëm, nuk arrin që të lexojë kohën e tij. Ose nga njëfarë Dante Aligieri, që flet për njëfarë triniteti: për një (përtej)botë infernale, ku i vendos armiqtë e tij; për një (përtej)botë të ndërmjetme, njëfarë pastrimore mëkatesh dhe për një (përtej)botë të epërme, ku arrihet duke pasur udhërrëfyes dashurinë, një përmasë ku ngjiten vetëm shpirtrat e panjollë, të lehtë, fluturues, të parënduar nga mëkatet. Ose nga njëfarë shkrimtari me mbiemër të çuditshëm, Kafka, që në gjuhën e shkrimtarit shqiptar lidhet me vdekjen, hiçin, asgjënë. Një krijues ky i një bote të çuditshme ku njerëzit vriten pa shkak, shtegtojnë drejt kështjellës labirint, pa arritur asnjëherë ose metamorfizohen në insekte e kandrra, sikurse në rrëfimet shqiptare. Kjo njohje e bën atë jo vetëm shkrimtar shqiptar, por edhe europian…

Gjenialiteti dhe lavdia e tij duhet që t’i mjaftojë një kombi të vogël. Duke e nderuar shkrimtarin, njëkohësisht e nderon kulturën, historinë dhe gjuhën e tij. Madje duhet t’ia falë shkrimtarit edhe veset që mund t’i ketë. Çuditërisht as kjo madhështi nuk mjafton. Kërkon më shumë dhe shpesh ka mosmirënjohje.

Shkrimtari nuk ka shkop magjik. Është vetëm shkrimtar. Shpesh nevrikoset si Moisi, teksa sheh adhurimin e verbër ndaj një “viçi të artë”. Por ai e do kombin e tij. E ka lartësuar kudo. Shpesh i ka vënë një maskë të bukur në fytyrë, i bindur se një ditë fytyra do të bëhej njësh me maskën. Ka huazuar nga letërsia orale brumin e veprës së tij. E ka përsosur, e ka plotësuar, e ka ndryshuar. I ka shtuar këtij brumi fantazma e makthe të tjera. I ka shtuar të tjera erëza. Edhe ka përmbysur shumëçka. Varësisht si ja ka diktuar kokëkrisja prej shkrimtari. Ka sajuar, kështu, një botë të përfytyruar, botë të mundshme, transcendentale, simbolike, në mënyrën më të mirë të mundshme, e cila, siç thotë një studiues, ofron informacione të shkallës së lartë, që ndryshe nga informacionet ditore, nuk zbehen nga koha, kjo filtruese gjeniale e arit mendor nga rëra e përkohshme. Ka dëshmuar se gjuha shqipe është gjuhë kulture, e aftë për të sjellë jo vetëm kryevepra botërore, por edhe krijimin e kryeveprave origjinale me këto përmasa…

Mos vallë e mbiçmojmë se ai është shkrimtar shqiptar? Assesi. E vlerësojmë artin e tij me kritere estetike, jo me kritere etike apo etnike. E vlerësojmë si lexues me teke, dyshimtar, që s’mahnitet lehtë, që s’e duron leximin e detyrueshëm e mosmirënjohës, i cili një vepër e vë në platformën ku qëndrojnë veprat më të përsosura të krijuara nga gjeniu letrar dhe i krahason me ato. Te këto vlerësime kanë arritur shumë kritikë gjuhësh e sistemesh kulturore, që janë mahnitur nga thellësia dhe cilësia e veprës së tij letrare, të cilët e rendisin Kadarenë përkrah emrave më të lavdishëm të letërsisë botërore…

Duke e lexuar vetëm si vepër letrare, do të shohim se ajo na zbulon përmasa të reja ekzistenciale. Është një fluturim mendor në lartësitë ku s’ka arritur askush para tij. Është vepër shumështresore, shumëdimensionale, e gjithëkohëshme, e shumëkohëshme, e gjithëbotëshme, e cila depërton në thellësitë më të errëta të qenies njerëzore.

Kjo tejbotë artistike, e krijuar me magji gjuhësore, shpërfill skemat dhe kufizimet e ligjësive të përkohshme shtetërore. Kjo tejbotë artistike iu shmang shtratit të Prokrustit, pra skemave të realizmit socialist, përjashto disa kompromise të parëndësishme, të domosdoshme, për ta shpëtuar veprën monumentale, e cila dëshmon se shkrimtari ka qenë mendjetjetërs estetik…

Ismail Kadare sikurse Tolstoi, Kafka, Xhojsi, Cvajgu, Borhesi, Rothi nuk e ka fituar Nobelin për letërsi. Lajmi i mirë nga Akademia Suedeze ndoshta nuk do të vijë asnjëherë. Nga këndvështrimi i lexuesit, s’ka vend për dëshpërim. Është dëshpëruese se si salierët e presin me ankth ardhjen e mundshme të këtij lajmi.

Nëse një ditë Kadareja e merr Nobelin, meritat i përkasin atij, por ky vlerësim do ta nderonte kulturën dhe gjuhën që ka aftësi të mëdha shprehjeje dhe njohjeje.

Nëse anëtarët e këtij Komiteti ndikohen nga salierët tanë e të huaj, atëherë Kadareja kurrë mos e marrtë këtë çmim, i cili i mungon vitrinës së shkrimtarit për arsye jashtëletrare…

Kadareja do të mbetet në kujtesën njerëzore si shkrimtar i papërsëritshëm, por edhe si simbol lirie në perandorinë e  akullnajës. Ai nuk është mbartës i kurorës me thera, as i kurorës me dafina. Ai është mbartës i kurorës së artit. Është vetëdija estetike që e ka krijuar letërsinë e madhe. Është gjeniu që i shfaqet shumë rrallë një sistemi kulturor dhe si i tillë e meriton nderimin tonë.

Çfarë mund të bëjë shkrimtari më shumë se sa të na japë një vepër madhore? Ta flijonte të përjetshmen për një gjest heroik, të papeshë kundrejt asaj që ka krijuar? Gjestet janë hiçgjë kundrejt dritës së përhershme të farit orientues.

Nuk keni pse bërtasim shumë: më mirë një Kadare shkrimtar se sa një Kadare martir. Më mirë një Kadare si e kemi, se sa një Kadare që do të ëndërronim ta kishim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button