Zylbeari: Zgjidhja për kaosin e portaleve është vetërregullimi

Kryeredaktorja e portalit, “Portalb”, Elida Zylbeari, në emisionin “Argument” në TVM2, vlerësoi se gjendja në mediat online është kaotike sepse sipas saj, me përjashtime, ka një informim subjektiv të bazuara, jo në fakte, por në pikëpamje.

Zylbeari vlerëson se përgjegjësia më tepër duhet të jetë morale dhe çështjet e marrjes së përgjegjësisë të rregullohen me vetërregullim.

“Për zgjidhjen e kësaj çështje duhet të kemi përgjegjësi morale dhe kjo të bëhet me vetërregullim. Pra, edhe si gazetarë edhe si portale duhet vetë të mblidhemi dhe ta rregullojmë punën tonë, t’i caktojmë rregullat apo parimet bazë të gazetarisë. Jo-rastësisht lehtësuesi belg, Van Hojte, nuk i ka vendosur portalet në këtë rregullativë, për faktin se interneti duhet të jetë i lirë, por e gjithë përgjegjësia morale duhet të jetë e jona”, shtoi kryeredaktorja e “Portalbit”, Zylbeari.

Sipas Zylbearit, kjo gjendje është si rezultat i mosrespektimit të normave gazetareske, Kodit Etik të Gazetarisë dhe mosnjohjes së vlerës dhe funksionit të Këshillit për Etikë në media të formuar para një viti e gjysmë me propozim nga ndërkombëtarët.

“Pamjaftueshmëria e resurseve njerëzore, agjendat e ndryshme të personave të ndryshëm të cilët rijnë pas këtyre portaleve apo ueb faqe me një, dy apo tre persona, si dhe rrethanat tjera jo-demokratike, duke mos e respektuar Kodin Etik të Gazetarisë dhe Këshillin Etik, kanë ndikuar që të jemi në këtë gjendje”, vlerëson Zylbeari.

Në lidhje me çështjet e bisedimeve të grupeve punuese për mediat, Zylbeari u shpreh se është skeptike për arritje të suksesit, sipas saj, s’është problemi a do të nënshkruhet marrëveshja, problemi është se a do të zbatohet.

“Duhet të shohim nesër se çfarë do të bëjnë ata që vendosin për ne. Jam skeptike sa i përket reformave që pritet të dalin nga Marrëveshja e Përzhinos. Nga praktika jemi mësuar se pesë minuta para afatit të fundit t’i pranojnë propozimet, por pastaj të mos i respektojnë në tërësi të njëjtat”, shtoi Zylbeari.

Lexo: Zylbeari: 24 prilli datë jo e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button