Rama: Me LSI-në ndahemi nëse dështojnë reformat

Kryeministri tha dje se çështja e zgjedhjeve të kreut të PS-së nuk ekziston, sepse ai është rimandatuar dy herë në zgjedhje. Ndërsa për koalicionin me LSI-në, për herë të parë la të  kuptohej se dështimi i reformës në drejtësi, për shkak të mazhorancës do të rrezikonte koalicionin

Intervistoi Ili Babaramo, Report TV

Duke qëndruar te deklaratat agresive të Blushit ndaj jush. Ai shpalli kandidaturën dhe është shprehur për rotacion për t’u zgjedhur në krye të PS dhe për t’u zgjedhur Kryeministër, detyrë që tha se mund ta bëjë edhe më mirë se ju. Z. Rama, a do të rizgjidheni në Kongres? Se mandati juaj sipas statutit të PS, ka përfunduar para 3 vitesh.

Unë dua të ndaj qartësisht komentet, sepse nuk komentoj komentatorët e atyre që bëj mirë apo bëj keq, nga fakti. Fakti është që kemi një parti të organizuar në modelin e laburistëve të rinj që zgjedh me “një anëtar një votë” liderin e partisë dhe që konsideron konfirmim të mandatit zgjedhjet e përgjithshme. Pasi lideri i partisë është edhe Kryeministri kur partia i fiton zgjedhjet. Ky debat do të vlente nëse partia do t’i humbte zgjedhjet. Është e qartë se përsa i përket këtij aspekti statutor, Kongresi do të marrë vendimin përkatës dhe kjo është e përcaktuar nga Asambleja. S’kam as dëshirën dhe as ngenë të hyj në një debat të kësaj natyre. Është fare e qartë se unë jam zgjedhur nga shqiptarët për të punuar ditë-natë, për të realizuar programin tonë për Rilindjen. Dhe e kam konsideruar dhe e konsideroj këtë çështje, një çështje që nuk ekziston. Sikush ka legjitimitetin të flasë ndryshe. Por thelbi i këtij debati është një debat…siç e thash.

A ndjeni se duhet të rikonfirmoheni nga strukturat e PS?

Nëse më pyesni mua iu siguroj se nuk më mungon ndonjë rikonfirmim, por kemi fituar 2 palë zgjedhje dhe që ditën e parë e kemi parë pa lidhje që ne t’i angazhojmë forcat në një fushatë brenda partisë, kur duhet të merreshim me hemorragjinë që kishte vendi dhe mbi të gjitha, modeli është ky. Njerëzit na votuan që të qeverisim dhe ne nuk mundemi t’u themi njerëzve se, “prisni se kemi zgjedhje brenda partisë”. Nuk e bëjmë. Cameron në Britaninë e Madhe u zgjodh Kryeministër dhe nuk di të ketë bërë dhe s’ka për të bërë ndonjë palë zgjedhje si kryetar partie. Ashtu si dhe Tony Blair që fitoi 3 herë zgjedhjet dhe s’bëri zgjedhje në parti.

E shikoni z. Blushi si rival?

Jo.

Kjo që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj, duke mos lënë një garë të hapur… A mendoni se është një de ja vu e 2003-shit? Kur shkonit për të kandiduar dhe thoshit se Fatos Nano iu mbylli dyert?

Është një arsye tjetër. Se në atë model, kryetari i partisë zgjidhej me Kongres dhe mekanizmi i mosbesimit ndaj kryetarit është tjetër. Ne i kemi instrumentet edhe në këtë model. Nuk më intereson ky debat sepse nuk kemi asnjë sekondë për të humbur me këto muhabete. Kemi një Asamble që është shprehur, do të shprehet edhe Kongresi. Sikush të tentojë të bindë Kongresin se opinioni i tij është i duhuri.

Deklaratat e tij nuk janë më pak të ashpra se të Kastriot Islamit dhe Tom Doshit? Pse nuk përjashtohet Blushi nga PS?

Nga Partia Socialiste dihet qartë se kur nuk mund të jesh më pjesë e projektit të saj politik.

E ka kaluar vijën e kuqe Blushi?

Nuk më rezulton.

Jeni i kënaqur me punën e ministrave?

S’jam i kënaqur as nga vetja e jo më nga të tjerët. Kërkoj çdo ditë më shumë dhe nuk mjaftohem me atë që bëj. A po ecim në rrugën e duhur për të zbatuar programin? Po, nuk kemi surpriza.

Do të bëni ndryshime ne qeveri? Do ketë ndryshime përpara zgjedhjeve?

Unë mund t’ju përgjigjem se çfarë do të bëj nesër. Deri në zgjedhjet e ardhshme është pak më pak se gjysma e mandatit. S’mund t’iu përgjigjem se çdo të ndodhë deri atëherë. Secili ka detyra, afate dhe program për të zbatuar. Deri tani secili bën detyrat sipas afateve të programit. Nëse dikush do të lodhet, s’do ta lodhim më tutje, por do ta ulim në stolin e rezervave.

Z.Rama, do të doja t’ju pyesja për një ngjarje politike të bujshme të kohëve të fundit, ka shkaktuar tensione edhe brenda koalicionit, efektet politike që pati dosja DIA-CEZ, e cila për fat të shtetit shqiptar fitoi arbitrazhin për të shpëtuar pagesën. Partneri juaj në qeveri, z. Meta, e konsideroi një operacion mafioz që synonte goditjen e tij politike. Ndani të njëjtin qëndrim me të? Si përfundoi gjithë kjo ngjarje në një portal?

Me siguri kryetari i Kuvendit ka burimet e veta dhe me siguri ka arsyet e tij për të patur atë konkluzion. Ndërkohë, përsa më takon mund t’ju them se qëndrimi ynë ka qenë i qartë, se përtej mjegullave dhe baltovinave  që këtu në Shqipëri krijohen apo zmadhohen qëllimisht nga faktorë dhe aktorë të ndryshëm, ka gjithmonë një mundësi dhe kjo mundësi është drejtësia. Përsa kohë gjithçka mbetet një spekulim dhe përsa kohë lideri i PD shfaqet si avokat i LSI-së, apo ministrit të Drejtësisë, apo si avokat i RD në gjyqin me LSI. Ka një skonto të madhe për t’u bërë të gjithë këtyre tymnajave që shpërthejnë si megaskandalet dhe përfundojnë në një ‘u mbars mali dhe polli një mi’.

Gjithë kjo situatë, a menduat ndonjëherë se e vuri në rrezik koalicionin?

Dua të jem i sinqertë. Ky koalicion nuk është dhe s’do të jetë në rrezik për asnjë nga këto arsye që diskutojmë. Kam arsye të forta për ta thënë këtë dhe jam i keqardhur se sa shumë përpjekje bëhen dhe në fakt arrijnë ndonjëherë ta çoroditin opinionin publik, por koalicioni s’ka qenë i rrezikuar.

Çfarë mund ta vendosë në rrezik?

Nëse do të dështonte me reformat… Pengesat e brendshme për reformat do të ishin një arsye për t’u ndarë. Në këtë rast do të isha unë që do të kërkoja divorc. Kjo s’ka ndodhur dhe nuk shoh asnjë rrezik.

Ka gjasa. Është reforma në drejtësi p.sh., LSI mban një qëndrim ndryshe nga qëndrimi juaj…

Këto janë diferenca në metodë, por jo divergjenca në përmbajtje. Diferencat me LSI-në i kemi nga A-ja te L-ja. Por në përmbajtje s’kemi divergjenca. Meta është kryetar i Kuvendit dhe e ka për detyrë që të kërkojë një konsensus që i bashkon palët. Unë nuk e kam këtë detyrë, por sigurisht jam i motivuar që të jap çdo kontribut për konsensusin, pa cenuar përmbajtjen e reformës. Nëse kjo nuk cenohet, ta votojmë që të gjithë bashkë. Nëse përmbajtja cenohet, s’ka konsensus.

Nëse LSI nuk bie dakord me përmbajtjen?

Nuk kemi divergjenca në përmbajtje. Kemi qenë një mendje që në fillim, për komisionin parlament, grupin e ekspertëve më të mirë, me bashkëpunimin e BE, SHBA, KIE, ekspertë të tjerë të pavarur të ardhur nga vende të ndryshme. E kemi thënë shumë qartë. Këta janë njerëzit e besuar që do të na japin një produkt.

Janë tre ama…

Në këtë proces, ne si PS kemi qëndruar stoik këtij principi. LSI ka parë të arsyeshme të shtrojë disa sugjerime, shumë normale, këtë ka bërë edhe PD. Ne do të presim raportin përfundimtar të Venecias dhe do të ulemi për të parë mbi atë raport sesa konvergojmë. Nëse konvergojmë në thelb, divergjencat kalohen, nëse ndahemi në thelb, s’ka konsensus. Reforma në drejtësi nuk është në dorën e asnjërit nga ata që duket sikur e kanë në dorë. Reforma s’është në dorë as të Ilir Metës dhe as të Saliut. Është një imperativ ndërkombëtar. Kush mendon se do ta devijojë rrugën e reformës, mund të shtyjë vetëm pak në kohë ditën kur do të përvëlohet nga populli për këtë devijim.

Thatë që reforma mund të vonohet…

Unë mendoj që nuk do të vonohet, por kush e vonon afron ballafaqimin me një dramë politike, për vete dhe partinë e tij. Ka vetëm një palë të painteresuar për reformën në drejtësi. Tani, të mos i vëmë më shumë dru zjarrit.

Mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë një “pas” sipas të gjitha gjasave?

Nëse të gjitha gjasat, ju konsideroni projeksionet e laboratorit të analizave të shtypit, 99% dalin të manipuluara. Nuk mendoj se janë të gjitha gjasat. Mendoj që z. Berisha të mos e merrni seriozisht. Atë që thotë sot, s’e thotë nesër. Unë besoj që Partia Demokratike do të bëjë një zgjedhje që do të përcaktojë shumë për të ardhmen e saj politike.

Po thoni që z. Basha do të ndryshojë qëndrim për reformën?

Unë këtë s’e përmenda fare. Z. Basha nuk hyn te vendimmarrësit, por te administratorët.

Ilir Meta u shpreh në një interviste se ju ka thënë ju se, nëse doni të bëni një koalicion PS-PD, për konsensus për reformën, unë i jap dorën, kaloj në opozitë dhe bëj opozitë të fortë… Ju çfarë i thatë?

Unë nuk komentoj bisedat që janë biseda jo televizive dhe jo publike. Në këtë prononcim që ai ka bërë, unë do të shikoja si avantazh vetëm një gjë, që është një mundësi për të parë përtej njeriut racional, një njeri emocional.

Mendoni se e ka tejkaluar emocionin?

Po abuzon me mikpritjen time këtu në zyrë. Nuk kemi një seancë spiritualizmi këtu për marrëdhëniet personale.

Pika më e debatueshme është ajo e Byrosë së Hetimit. Nga do të varet?

Ka një draftim të ligjit për një strukturë që ne e kemi kërkuar qëkur ishim në opozitë. Thjesht kërkon një rakordim në tekst dhe jemi në fund.

Emri i z. Meta është një emër që do ta votonit për President?

Jemi në koalicion dhe si koalicion do të bëjmë diskutimet tona dhe do të marrim vendimet tona të përbashkëta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button